Hajni që po vjedh në Dukagjin, është vrasës, u arratis nga burgu

Kronikë e zezë

Hajni që po vjedh në Dukagjin, është vrasës, u arratis nga burgu

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 12:25

Vrasësi i Shpëtim Sinanit me plumb në kokë është një i arratisur nga Burgu i Shënkollit. Agim Madani, 50 vjeç, banues në Durrës dhe me origjinë nga Tropoja e Vjetër, u shpall në kërkim për ekzekutimin afër Urës së Sopotit, te “Kthesa e Mejdanit” në Bajram Curri, duke zbardhur dita e mërkurë.
Krimi dyshohet se ka për motiv pazaret e prishura mes dy miqve të vjetër, pasi të dy ishin kontigjent në grabitje dhe plaçkitje që kryheshin brenda vendit apo kryesisht në Kosovë.

Prej dy muajsh Madani ishte shpallur super i kërkuar dhe dyshohej se fshihej në Kosovë. Ai ishte dënuar për grabitje dhe ishte nën akuzë gjithashtu për përdhunimin e mbesës së tij (vajzës së motrës). Por në rrethana ende të mistershme, autoritetet e Burgut të Shënkollit në Lezhë, për të cilët prej disa javësh ka nisur një hetim për këtë rast, i kanë dhënë një leje për motive familjare.

Kaq ka mjaftuar që 50-vjeçari të mos kthehej më në qeli. Edhe para se të arrestohej disa vite më parë në Durrës, Madani kishte pasur aktivitet kriminal në Kosovë dhe ishte i kërkuar atje. Kurse miku i tij Shpëtim Sinani, 40 vjeç, nga fshati Shumicë i Tropojës së Vjetër me origjinë dhe banues prej 15 vitesh në Golem të Kavajës ku punonte si roje dhe mirëmbajtës vilash, ishte gjithashtu person me precedentë penalë për vjedhje dhe dhunë në familje. Duket se dy burrat, që kishin edhe lidhje familjare, kryenin aktivitet gjatë javëve të fundit midis kufirit shqiptaro-kosovar si në kohët e vjetra.

Dhe gjatë natës kur kanë qenë duke u kthyer për në banesat e tyre, kanë pasur një konflikt që duket se degjeneroi në përdorimin e armës. Madani ka qëlluar për vdekje me plumb në kokë mikun e tij dhe është arratisur. Policia beson se 50-vjeçari i arratisur nga burgu mund të jetë fshehur në Kosovë, ku ka njohje të shumta dhe mund të strehohet duke i shpëtuar drejtësisë. Pista kryesore e hetimit mbetet prishja e pazareve mes dy miqve në ndarjen e përfitimeve të siguruara nga plaçkitjet. Sipas familjarëve të viktimës, Sinani ishte larguar nga Golemi pak ditë më parë për të vizituar të afërmit e tij në Tropojën e Vjetër.

Por mëngjesin e së mërkurës kanë marrë lajmin e kobshëm të vrasjes së tij. Ata kanë dhënë detaje të tjera se 40-vjeçari rrinte shpesh me Madanin, ky një person i kërkuar nga drejtësia dhe i dënuar për grabitje dhe krime seksuale. Kurse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas arratisë së Madanit mësohet se ka nisur procedim disiplinor dhe penal për autoritetet, për mënyrën dhe shkaqet e dhënies së lejes 5 ditore. Madje është hartuar edhe një raport i plotë për të gjitha abuzimet me lejet e burgjeve, duke denoncuar ish-drejtorë, gardianë, mjekë dhe zyrtarë të tjerë për shkeljet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat