Gjirokastër, kapet hajduti i droguar, brenda natës ‘inspektoi’ 4 shtëpi

Kronikë e zezë

Gjirokastër, kapet hajduti i droguar, brenda natës ‘inspektoi’ 4 shtëpi

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 09:33

Një 26-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Gjirokastrës, pasi akuzohet se ka hyrë në katër banesa me qëllim vjedhjen e tyre. Vasil Kafarani, banues në Gjirokastër, është dënuar edhe dy herë të tjera më parë për vjedhje.
Arrestimi i Kafaranit në flagrancë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së dielës kur ai, nën efektin e drogës ka hyrë në katër banesa, por vetëm në njërën prej tyre ka mundur të vjedhë 20 mijë lekë të reja, ndërsa në tre të tjerat është diktuar nga të zotët e shtëpive.
Patrulla e përgjithshme dhe specialistët e krimeve në komisariatin e policisë së Gjirokastrës, pas marrjes së njoftimit kanë organizuar punën dhe arrestimi i Kafaranit është bërë i mundur rreth orës 5 të mëngjesit të dates 31 gusht 2014, ndërsa pritet që ai të dalë para drejtësisë me akuzën e vjedhjes.
Aksioni policor ka qenë në kuadër të intensifikimit të punës së policisë për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë.
Në Gjirokastër numri i vjedhjeve gjatë këtij 9-mujori është në rënie krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që numri i të arrestuarve gjatë kësaj periudhe është 10 % më i lartë. Numri më i madh i rasteve të zbuluara gjatë 2014-ës i përket ngjarjeve të ndodhura vitin e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat