I mundon bakllava, spitalet mbushen me pacientë

Kronikë e zezë

I mundon bakllava, spitalet mbushen me pacientë

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 11:38

Dita e dytë e Bajramit i gjeti shumë shtetas kosovarë nëpër ambulanca e spitale. E gjithë kjo si pasojë e ndërrimit së menysë ushqimore si dhe konsumimit të tepërt të ëmbëlsirave.
Mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare që gjendet në lagjen “Fehmi Agani” të Prishtinës, shprehen se numri i pacientëve që u paraqitën në këtë qendër në mbasditën e parë të ditës së Bajramit dhe në ditën e dytë, ishte mjaft i madh. Shqipe Shkodra, mjeke familjare në QKMF, thotë se pacientët të cilët kërkuan ndihmë mjekësore gjatë këtyre ditëve ishin kryesisht pacientë të moshës prej dhjetë vjeç deri në njëzetepesë vjeç. Sipas saj, rreth pesëdhjetë pacientë në ditë ka kontrolluar një doktor në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare. E gjithë kjo si pasojë e konsumimit të tepërt të ëmbëlsirave gjatë këtyre ditëve të festës. “Së fundi është rritur numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë në qendrën tonë, rreth 50 pacientë i kemi për doktor. Fluksi më i madh i pacientëve është në orët e paradites”, është shprehur doktoresha Shkodra për gazetën Tribuna.
Sipas saj, pacientët kanë probleme me ushqim, helmime, marramendje, vjellje, barkqitje. “Ata vijnë disi si pa fuqi të plogësht. E gjithë kjo vjen si pasojë e temperaturave të larta dhe teprimit me ushqim gjatë festës së Bajramit”, tha Shkodra. Ajo tha që shumica e pacientëve gjatë këtyre ditëve janë pacientë të cilët kanë ardhur nga mërgata për pushime në Kosovë. Edhe temperaturat e larta të cilat po mbizotërojnë ditëve të fundit në vendin tonë, kanë ndikuar që shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë. Nga ana tjetër qytetarët po tregohen të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve. “Unë zakonisht nuk u ekspozohem shumë temperaturave të larta, por nganjëherë për shkak të punës detyrohem që të dal, madje javën e kaluar kam kërkuar ndihmë nga stafi i QKMF-së në lagjen Ulpiana”, ka thënë Hamide Idrizi, banore e Prishtinës.
Edhe Latif Maxhuni banor i lagjes Ulpiana të Prishtinës, thotë se këto ditë po tregon më shumë kujdes që të mos dalë në kohën kur temperaturat janë të larta. “Unë prej orës 12:00 deri në 16:00 të pasdites nuk dal hiq nga shtëpia. Vuaj nga tensioni i lartë i gjakut, andaj nuk e mundoj veten me dal në atë kohë”, ka pohuar ai.
Ndërkaq, doktoresha Shqipe Shkodra thotë se më të rrezikuarit janë pacientë të cilët vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. “Gjithsesi të nxehtit i duhet shmangur pacientët me sëmundje të enëve të gjakut, atyre koronare. Pastaj pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet respiratore, organet e frymëmarrjes” , këshillon doktoresha Shkodra. Sipas saj, në QKMF ka doktorë të mjaftueshëm të cilët po kujdesen për pacientët të cilët po kërkojnë ndihmën e tyre për shkak të temperaturave të larta të cilat po mbizotërojnë këto ditë në vendin tonë.
Nga ana tjetër, sipas ekspertit të meteorologjisë Sylë Tahirsylaj, temperaturat gjatë këtyre ditëve pritet të bien. Gjatë fillimit të gushtit temperaturat maksimale priten të jenë deri në 24 gradë celsius. Ndërsa ajo më e ulëta pritet të jetë në 14 gradë celsius. Sipas Tahirsylajt kjo ulje e temperaturave pritet të zgjasë më së shumti tri ditë, pastaj do të ketë prapë ngritje të temperaturave të cilat mund të shkojnë deri në 35 gradë celsius. Doktorët rekomandojnë te qytetarët që përveç shmangies së ushqimeve të ëmbla gjatë detyre ditëve dhe shmangies së ekspozimit në temperatura të larta, të konsumohen sa më shumë lëngje dhe të hahen ushqime të lehta, kjo vlen sidomos për foshnjat dhe për personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat