Kërcënon ish-të dashurën nga burgu: Tërhiq kallëzimin

Kronikë e zezë

Kërcënon ish-të dashurën nga burgu: Tërhiq kallëzimin

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 13:42

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj një 23-vjeçari, që akuzohet të ketë përndjekur dhe terrorizuar për muaj me radhë ish-të dashurën e tij. Sipas organit të akuzës, me qëllim rindërtimin e lidhjes, i pandehuri Jak N. e ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht ish-partneren. Ai dyshohet t’i ketë shkaktuar asaj ankth dhe frikë, duke e kërcënuar në telefon, ndaluar në rrugë dhe duke i bërë presion të vazhdueshëm që ajo të mos krijonte raporte të tjera. Për shkak të përndjekjes, e dëmtuara I. L. është detyruar të braktisë edhe studimet e larta.

Pre e kërcënimeve të 23-vjeçarit, sipas akuzës, janë bërë dhe familjarët e vajzës. Jak N. është kallëzuar dy herë në polici nga ish-e dashura. Edhe pse është arrestuar, ai nuk e ka ndalur presionin. Sipas hetimeve, ai ka telefonuar nga paraburgimi 313 ish-të dashurën dhe e ka kërcënuar atë të tërhiqte kallëzimin. Dosja penale në ngarkim të 23-vjeçarit Jak N. është depozituar në Gjykatën e Tiranës, ku ai do të gjykohet për akuzën e “përndjekjes” dhe “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Në vijim zbardhet dosja e prokurorisë, në lidhje me akuzat ndaj tij.

HISTORIA
Shtetasja I. L. banon në Tiranë. Në qershor të vitit 2013 ajo është njohur me shtetasin Jak N., me të cilin është takuar disa herë në qytetin e tij. Pas një muaji, Jaku ka kërkuar që të takohej me babanë e saj. Pas takimit me babanë, Jaku ka ndryshuar sjelljen e tij. I ka thënë asaj se duhet të mbyllej në shtëpi dhe ushtronte dhunë ndaj saj. Për këtë fakt ajo është ndarë nga Jaku dhe ka vazhduar jetën e saj normalisht ne Tiranë. Më datë 03.02.2014, shtetasja I. L. ka deklaruar në Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë se që nga koha që është ndarë nga Jaku ai e kërcënon atë dhe e shqetëson si fizikisht, ashtu edhe në telefon. Është pyetur shtetasi Jak N., i cili ka deklaruar se nuk do ta ngacmojë më ish-të dashurën dhe do ta lërë të qetë atë. Ai ka shpjeguar se do të vazhdojë jetën e tij, por në të vërtetë nuk ka rezultuar kështu.

KALLËZIMI I DYTË
Në ditët e fundit të muajit prill të këtij viti, shtetasja I. L. ka denoncuar për të dytën herë në polici përndjekjen që i bëhej nga ish-i dashuri. Ajo ka rrëfyer se ai e kërcënon dhe e dhunon atë prej një periudhe shumë të gjatë. Sipas saj, Jaku e kërcënon atë fizikisht dhe psikologjikisht me qëllim për ta detyruar që të lidhet përsëri me të. Ajo kallëzon se kjo situatë vazhdon prej një periudhe kohe. Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se shkaku për të cilin Jaku e kërcënon I. L. është sepse ai i kërkon me forcë që ajo të bëhet e dashura e tij dhe të kthehen përsëri siç kanë qenë më parë, por ajo nuk pranon që të rilidhet me të. Si pasojë e këtyre veprimeve të përsëritura dhe kërcënuese, e dëmtuara I. L. ndihet realisht e kërcënuar, fyer, përndjekur dhe në një gjendje të rendë ankthi. Në rastin konkret kemi edhe dhunë fizike dhe psikologjike që i dyshuari ushtron ndaj të dëmtuarës. Ai i del asaj përpara me makinë dhe e detyron me forcë që të rrijë me të. I hap me forcë derën e makinës së saj.

PËRNDJEKJA NË FAKULTET
Në muajin tetor I. L. ka filluar shkollën e lartë në një fakultet në Tiranë. Aty Jaku vinte një herë apo dy herë në javë dhe e kërcënonte shtetasen I. L. që të mos lidhej me persona të tjerë. Në disa raste e ka goditur atë. Në një rast Jaku e ka goditur I. L. në praninë e një shoqes së saj. Ai e ka shqetësuar të dëmtuarën edhe në dy numrat e saj të telefonit, duke i prishur qetësinë personale. Si pasojë e veprimeve të përsëritura dhe kërcënimeve të Jakut, I. L. është detyruar që të lerë shkollën. Pra e thënë me fjalë të tjera, ka ndryshuar mënyrën e jetesës.

KËRCËNIMI NGA BURGU
Nga koha që është ndarë e deri në momentin e ndalimit, shtetasi Jak N. ka vazhduar shqetësimin e së dëmtuarës. Pavarësisht se është pyetur në muajin shkurt të këtij viti dhe ka deklaruar se nuk do ta ngacmojë më I. L. ky shtetas ka vazhduar veprimtarinë e tij të paligjshme. Në këto kushte, Policia Gjyqësore ka bërë ndalimin me iniciativë të këtij shtetasi, pasi ai vazhdonte që ta kërcënonte dhe ta përndiqte I. L. Ky ndalim është bërë me qëllim për të ndërprerë veprimet e paligjshme të të pandehurit pasi ai po vazhdonte në kryerjen e veprës penale dhe rëndimin e pasojave të saj. I pandehuri e ka marrë në telefon edhe nga numri i paraburgimit të dëmtuarën duke e kërcënuar atë që të tërheqë kallëzimin. Në vijim është verifikuar numri fiks dhe ka rezultuar se është numri i IEVP “Jordan Misja” në Tiranë, i njohur dhe si burgu nr. 313.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat