Dosja, i riu e përndjek, vajza braktis shkollën

Kronikë e zezë

Dosja, i riu e përndjek, vajza braktis shkollën

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 08:18

Një vajzë e re është detyruar të braktisë fakultetin, pasi përndiqej dhe dhunohej fizikisht e psiqikisht nga një djalë, i cili i kërkonte me çdo kusht të bëhej e dashura e tij. Historia mes Jak N. dhe L.I ka nisur shumë normalisht, pas një njohjeje thuajse të rastësishme në qershor 2013. Pasi është njohur me të atin e vajzës, sjellja e të pandehurit karshi të dashurës ka ndryshuar.

Ai e ka mbyllur atë brenda katër mureve, mandej ka nisur të ushtrojë dhunë. Vajza ka vendosur të ndahet prej tij, por N. e ka përndjekur hap pas hapi, madje duke kërcënuar dhe familjarët e saj. Policia e ka arrestuar N., por ai edhe nga burgu vazhdonte dhe e shqetësonte L.I, duke e kërcënuar atë dhe të ëmën që të tërhiqte denoncimin.

Prokuroria ka mbyllur tashmë hetimet dhe i ka dorëzuar gjykatës dosjen penale ndaj Jak N., i cili do të përgjigjet për dy akuza “Përndjekje” dhe “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

Njohja me përndjekësin
L.I. banon në Tiranë. Në qershor të vitit 2013 është njohur me Jak N., me të cilin është takuar disa herë në qytetin e Lezhës. Pas një muaji Jaku ka kërkuar që të takohej me babanë e saj. Menjëherë pas takimit, ai ka ndryshuar sjellje ndaj vajzës, duke i thënë se duhet të mbyllesh në shtëpi. Gjithashtu, ushtronte dhunë ndaj saj. Për këtë arsye, vajza është ndarë prej tij dhe ka vazhduar jetën normalisht në Tiranë. Më 3 shkurt 2014, L.I ka denoncuar në komisariatin nr.3 Tiranë, se nga koha që është ndarë nga Jaku ai e kërcënon dhe e shqetëson atë si fizikisht, ashtu edhe në telefon. Jak N. është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka deklaruar se nuk do ta ngacmojë më L.I. dhe do ta lërë të qetë atë.

Në vijim ai ka shpjeguar se do të vazhdoje jetën e tij, por në të vërtetë nuk ka rezultuar kështu. L.I. në datën 30.04.2014 kallëzon përsëri në komisariatin e policisë nr.3 Tiranë, se nga koha që është ndarë nga Jaku e më pas ai e përndjek atë duke e dhunuar si nga ana psikike, ashtu edhe fizike. Ai e kërcënon dhe e dhunon atë prej një periudhe shumë të gjatë. Jaku e kërcënon me qëllim për ta detyruar të rilidhet përsëri me të. “Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se shkaku për të cilin Jaku e kërcënon L., është sepse ai i kërkon me forcë që ajo të bëhet e dashura e tij dhe të bëhen përsëri siç kanë qenë më parë, por ajo nuk e pranon një gjë të tillë”, thuhet në dosje.

Si pasojë e këtyre veprimeve të përsëritura dhe kërcënuese L.I., ndihet realisht e kërcënuar, fyer, përndjekur dhe në një gjendje të rëndë ankthi. Në rastin konkret, arsyeton prokuroria, kemi edhe dhunë fizike dhe psikologjike, që i dyshuari ushtron ndaj të dëmtuarës. Ai i del asaj përpara me makinë dhe e detyron me forcë që të rrijë me të. I hap me forcë derën e makinës së saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat