Burg përjetë për Dritan Dajtin

Kronikë e zezë

Burg përjetë për Dritan Dajtin

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 15:25

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën burg përjetë për Dritan Dajtin.

Gjykata i ka dhënë Dritan Dajtit 4 burgime të përjetshme, nga një për secilin prej 4 policëve të vrarë. Gjithashtu Dajtit i'u dha edhe 15 vite burg për një shtetas që mbeti i plagosur gushtin e 2009-ës.

Në seancën gjyqësore e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, Dajti e ka dëgjuar qetësisht vendimin e trupit gjykues, një vendim ky i cili erdhi pas zhvillimit të 276 seancave gjyqësore.

Gjatë paradites së sotme, avokati i Dajtit,Sokol Koçiu në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë së Mbrojtjes së të Burgosurve, ka deklaruar se të akuzuarit i janë bërë injeksione qetësuese dhe ishte marrë me forcë nga qelia për në sallën e gjyqit.

Seancat e dy muajve të fundit janë bërë me dyer të mbyllura pa praninë e medias dhe me masa të rrepta sigurie, për shkak të kërcënimeve ndaj gjyqtarit Idriz Mulkurti dhe disa fotove të vajzës së tij të paraqitura në seancë nga i pandehuri Dajti.

Ngjarja për të cilën u dënua Dajti ka ndodhur në 7 gusht të vitit 2009, ku Policia e Shtetit dhe Njësia Speciale Gos, kishin organizuar një operacion për kapjen e Dajtit, por fatkeqësisht operacioni përfundoi me vdekjen e 5 personave, ku në mesin e tyre ishin dhe 4 policët, Fatos Xhani, Saimir Duckollari, Altin Dizdari dhe Kastritot Feskaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat