​Lypësit në Pejë bezdisin qytetarët, policia fton të mos u japin lëmoshë

Kronikë e zezë

​Lypësit në Pejë bezdisin qytetarët, policia fton të mos u japin lëmoshë

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 17:49

Policia e Pejës të enjten ka zhvilluar një aksion për shpërndarjen e fletushkave informuese për vetëdijesimin e qytetarëve që të mos u japin lëmoshë lypsarëve.
Togeri Fadil Gashi ka thënë se ky projekt po zbatohet nga viti 2009. “Sot kemi vendosur që në katër pika më të frekuentuara t`i shpërndajmë fletushkat në partneritet me të rinjtë e OJQ-së "Energjia Pozitive në Pejë" të cilat japin një mesazh qytetarëve "Mos u jepni para fëmijëve lypës, mos përkrahni shfrytëzimin e fëmijëve", ka thënë Gashi.

Nga ana tjetër aksionet e policisë për largimin e lypësve po japin rezultat afatshkurtër. Përgjatë një viti, Policia ka bërë të ditur se tri herë ndërmerr aksione të tilla. Ata deportohen në Shqipëri, porse kthehen sërish.
Njëra nga këto lypëse është nga Gjakova e kërkon lëmosh në Pejë. "Kam tre fëmijë dhe jetoj në Gjakovë së bashku me bashkëshortin që është pa punë, kemi një shtëpi që na ka ndërtuar KFOR-i, por duhet të dalim të lypim së nuk kemi kurrfarë të ardhura", është ankuar H.K., afro 40 vjeçe.

Drejtori i OJQ-së " Syri i Vizionit", Veton Mujaj, tha se gjendja e fëmijëve lypsarë është shqetësuese. “Ka fëmijë që tregojnë që detyrohen të dalin për të lypur dhe duhet përmbushur tarifat ditore dhe në fund t’i dërgojnë tek ata që i kanë porositur, ndërsa pjesa tjetër që tepron t`i mbajnë për vete këta fëmijë", ka thënë Mujaj, duke kërkuar reagim më të ashpër institucional.
Ndërkaq zyrtarja e shërbimeve sociale, Vera Kolgjeraj, tha së kanë regjistruar të gjitha familjet me nevojë sociale dhe të gjitha ato që i plotësojnë kriteret e gëzojnë drejtën sociale.

“Ne kemi regjistruar të gjitha familjet që përmbushin kriteret për të drejtën sociale dhe në raste me gjendje më të rëndë kryefamiljarëve u kemi mundësuar edhe punësim në rast kur kanë pranuar, ndërsa tek fëmijët lypsarë të Komunës së Pejës kemi bërë integrimin e tyre në shkolla dhe u mundësohet një jetë normale", ka bërë të ditur Kolgjera. Sipas saj, numri i fëmijëve lypës që i përkasin kësaj komune është shumë i vogël, teksa shumica janë ardhacakë nga komuna të tjera, e posaçërisht nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat