Burri tenton të vrasë gruan në rrugë, në sy të fëmijës

Kronikë e zezë

Burri tenton të vrasë gruan në rrugë, në sy të fëmijës

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 11:05

Kalimtarët e rastit kanë parandaluar dje një vrasje në familje, ku një burrë ka tentuar të godasë me thikë të shoqen në mes të rrugës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme te zona e tregut elektrik, pranë Fushës së Ali Demit në Tiranë, ndërkohë që autori i dyshuar i ngjarjes, Fatos Çifliku, është arrestuar disa minuta më vonë nga patrulla e policisë së Komisariatit Nr.1.

Fatos Çifliku, 47 vjeç, i ka bërë pritë bashkëshortes së tij, Etlevës, te zona e tregut elektrik, pranë Fushës së Ali Demit, për shkak të konflikteve të hershme me të. Ajo mësohet se kishte dalë xhiro me një nga katër fëmijët, që kanë prej martesës disavjeçare. Kur burrë e grua janë takuar në rrugë, mësohet se mes tyre ka pasur një debat të ashpër. Gjatë debatit, Fatosi i ka nxjerrë thikën nënës së katër fëmijëve dhe i ka thënë se do e vriste. Ajo ka marrë fëmijën në dorë dhe ka tentuar të largohet, por ai ia ka hequr të voglin me forcë nga krahët dhe ka tentuar ta godasë me thikë. Në ato momente, sherri mes tyre ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Ata kanë parë që jeta e 43-vjeçares ishte në rrezik dhe kanë ndërhyrë duke i hequr nga dora thikën Fatos Çiflikut. Ky i fundit ka kundërshtuar me forcë dhe si pasojë e kësaj, qytetarët e kanë dhunuar fizikisht. Pas dhunimit, 47-vjeçari tenton të largohet, por disa minuta më vonë, ai është arrestuar nga patrulla e policisë së Komisariatit Nr.1. Pas prangosjes, ai është dërguar në dhomat e paraburgimit dhe gjatë orëve të natës i është komunikuar akuza. Paraprakisht dyshohet se Fatos Çifliku ka konsumuar veprën penale të tentativës së vrasjes dhe kanosjes. Gjithashtu, grupi hetimor do të marrë në pyetje 47-vjeçarin për të zbardhur motivet që e çuan në një akt të tillë.

Sipas të dhënave, martesa e tyre nuk ka qenë shumë e lumtur, ndonëse kanë katër fëmijë. Në tetor të vitit 2012, Etleva Çifliku i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të përfituar urdhër mbrojtjeje nga bashkëshorti i saj. Shkak për këtë dyshohet se është bërë dhuna sistematike që 47-vjeçari ka ushtruar ndaj saj. Gjykata e Tiranës ka marrë parasysh kërkesën e saj për lëshim të urdhrit të mbrojtjes, duke nisur gjithashtu seancat gjyqësore. Pavarësisht kësaj, nëna e katër fëmijëve, megjithëse ka pasur dijeni rregullisht sipas ligjit për gjykimin, orën, datën dhe vendin e tij nga seanca e datës 11 tetor 2012 nuk është paraqitur, duke mos dhënë asnjë shkak të arsyeshëm për gjykatën. Gjithashtu, i padituri nuk u paraqit në gjykim. Në këto kushte, gjykata vendosi pushimin e gjykimit, të kësaj çështjeje civile dhe ndërprerjen e efekteve të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar me datës 11 tetor 2012.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat