Drama e pogradecares, burri bullgar e prostituoi me zor dhe tentoi t’i shesë beben

Kronikë e zezë

Drama e pogradecares, burri bullgar e prostituoi me zor dhe tentoi t’i shesë beben

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 10:23

Një 56-vjeçar bullgar do ti japë llogari drejtësisë shqiptare për trafikimin dhe shfrytëzimin si prostitutë të gruas së tij, shumë vite më të re. Historia e ka zanafillën në vitin 2009, kur Tomcho Tomov ka lidhur martesë me vajzën nga Pogradeci, të cilën më pas e ka keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht, duke e detyruar të bënte prostitutën me klientët që ai vetë i siguronte. Skandali në tërë këtë histori shfrytëzimi, thellohet edhe më tej, kur V.Tomov, ka ngelur shtatzënë me një nga ‘dhunuesit’ e saj dhe ka sjellë në jetë dhe fëmijën. Sikurse u ka rrëfyer hetuesve viktima e trafikut, burri i saj bullgar veç shfrytëzimit, ka tentuar të bëjë dhe birësimin e fëmijës, por ajo ka mundur ta shpëtojë, duke e dërguar tek prindërit e saj. Pasi është shfrytëzuar në qytetin e Pogradecit, për disa vite, Tomov ka tentuar ta trafikojë gruan drejt Italisë, me ndihmën e mikut të tij, Alesio Cullhaj, edhe ky i fundit tashmë nën akuzë. Cullhaj dhe V.Tomov, nuk janë lejuar të kalojnë drejt Italisë dhe pikërisht këtë moment ka shfrytëzuar gruaja për të denoncuar keqtrajtimet barbare dhe tentativën për ta trafikuar drejt shtetit fqinj. Pas denoncimit janë vënë në pranga dy të dyshuarit, të cilët tashmë do të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Shfrytëzimi si prostitutë

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se e dëmtuara është njohur dhe më pas martuar në vitin 2009, me një shtetas bullgar i cili jetonte ne qytetin e Pogradecit. Sipas të dëmtuarës njohja me Tomcho Tomov është realizuar nga një bashkëfshatar i saj. Në fillim të njohjes së tyre, shtetasi bullgar Tomcho Tomov e ka gënjyer të dëmtuarën për moshën e tij. Vetëm në momentin në të cilin ata kanë vendosur dhe janë martuar V. ka marrë vesh që bashkëshorti i saj nuk ishte 32 vjeç siç i ishte prezantuar, por i datëlindjes 1958 pra mbi 50 vjeç, fakt ky që ka shkaktuar krisjen e parë të marrëdhënieve mes tyre dhe lindjen e mosmarrëveshjeve. Kjo mungesë e sinqeritetit është pasuar dhe me sjelljen e dhunshme të Tomchos ndaj saj.
Sipas saj, dhuna e Tomchos ka qenë si psikologjike ashtu edhe fizike.
Në drejtim të tablosë së marrëdhënieve të tyre V. tregon se Tomcho e ka detyruar atë të ushtrojë prostitucion për llogari të tij, veprimtari kjo e filluar që nga viti 2010. Kështu rreth muajit Gusht 2010 Tomcho i ka sjelle një person, të cilin ai e ka prezantuar si shok në shtëpi dhe ka kërkuar që kjo të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Pas kundërshtimit të bërë nga e dëmtuara, Tomcho ka ushtruar dhunë fizike mbi të duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me shokun e tij.
Në fund të vitit 2010, vajza atë kohë 19 vjeç, mbetet shtatzënë dhe pas lindjes së vajzës së saj, Tomcho i kërkon përsëri që ajo të kryejë marrëdhënie seksuale me persona që i gjente ai kundrejt pagesës. Viktima e shfrytëzimit ka shpjeguar se paguhej nga 5000, 6000 deri në 8000 mijë lekë të reja për një orë dhe këto pagesa i merrte Tomcho Tomov. Gjithashtu sipas V.Tomov, Tomcho ka kërkuar disa herë që edhe vajzën e saj ta çonin dhe ta shisnin nëpërmjet birësimit në Itali tek ndonjë shtetas Italian.
E ndodhur para fakteve të tilla, viktimë e shfrytëzimit seksual, dhunës, mashtrimit dhe keqtrajtimeve të herëpashershme të pësuara nga bashkëshorti i saj Tomcho Tomov, V… e largon vajzën e saj dhe e çon tek prindërit e saj.

Trafikimi në Itali

Tomcho Tomov e telefonon V… dhe i prezanton Alesio Cullhajn. Kështu më datë 15.11.2013 V. Tomov mbërrin me furgon në Pogradec dhe zbret në qendër të Pogradecit duke i telefonuar Tomchos se kishte mbërritur në Pogradec. Pas 10 minutash mbërrin edhe Tomcho Tomov dhe ulen për të pire një kafe në një lokal afër pallatit ku jetonin. Tomcho Tomov i thotë të dëmtuarës, se ajo duhej të shkonte në Itali dhe të punonte atje si prostitutë për llogari të tij. V., kundërshton dhe bën të ngrihet nga karrigia, por kjo has në rezistencën e tij. Më pas Tomcho merr në telefonon shokun e tij, që më pas rezultoi të ishte i pandehuri Alesio Cullhaj dhe i thotë të vinte tek vendi ku e kishin lënë. Alesio erdhi pas rreth 20 minutash dhe biseduan për mënyrën që V., të shkonte në Itali. Aty Tomcho i jep edhe të dhënat personale të të dëmtuarës, si emër, mbiemër, ditëlindje, gjeneralitetet, të cilat Alesio Cullhaj i shkruan në telefonin e tij dhe që më pas iu gjendën pikërisht në telefonin e sekuestruar të pandehurit me numër 0674xxxxx. Gjatë bisedës së Tomchos me Alesion, ky i thotë Alesios që nëse nuk do arrinin të kalonin në Itali, atëherë duhej që dikush në Itali t’í bënte ftesë V., në mënyrë që kjo të kalonte në Itali. Ndërkohe Tomcho Tomov kërcënon V., që nëse ajo nuk vepron siç i kishte kërkuar ai, do të realizonte vrasjen e familjes së saj.
Pas kësaj, V. bashkë me Alesion nisen për në Durrës duke mos mundur të kalojnë atë ditë pasi nuk kishte traget. Atë natë V. dhe Alesio shkojnë tek një hotel afër Urës së Dajlanit dhe prenotojnë një dhomë të vetme. Në dhomë Alesio kryen marrëdhënie seksuale me V., kundër dëshirës së saj, si edhe ushtron dhunë mbi të.
Ky fakt provohet nga raporti i shërbimit i mbajtur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, ku përshkruhet hoteli tek Ura e Dajlanit ku kanë qëndruar si edhe nga këqyrja e regjistrit të këtij hoteli ku rezulton që aty të jetë regjistruar në atë periudhë që tregon V. Tomov, emri i Alesio Cullhaj.
Të nesërmen më datë 16.11.2013 pasi presin biletat ata tentojnë të hipin në traget për në Itali, por nuk lejohen të ikin nga policia kufitare në Shqipëri pasi nuk kishin me vete minimalisht rreth 500 euro dhe ftesë nga personi që i priste atje.
Duke parë këtë, Alesio flet me dikë në telefon, i cili i thotë se nesër ose pasnesër i ke gati.
Kjo nënkupton ftesat nga Italia për të kaluar në policinë kufitare. Ky fakt provohet nga tabulatet telefonike të numrit 0674xxxxxx të Alesio Cullhaj ku rezultojnë telefonata në orarin e imbarkimit për në Itali me një numër italian. Kështu nga ky numër më datë 16.11.2013 në harkun e dy orëve, me ndërprerje, ka komunikuar me numrin italian 0039xxxxx katër herë dhe nga lokalizimi i antenave rezulton se Alesio ndodhej në Durrës në gjithë këto telefonata. Po kështu nga këqyrja e telefonit të Alesio Cullhaj rezulton se ky i ka dërguar një sms më datë 17.11.2013 numrit italian 00393xxxxx me tekst gjeneralitetet e të dëmtuarës, që nënkuptohet që shërbejnë për ftesën që duhej të vinte nga Italia.
Sipas V. pasi nuk kalojnë dot në Portin e Durrësit ata flenë edhe një natë tjetër në Durrës dhe më datë 17.11.2013 ikin në një hotel në Peqin dhe qëndrojnë aty deri më datë 20.11.2013, kohë edhe kur nisen për në Itali. Edhe në atë hotel, Alesjo Cullhaj e detyron të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, të cilët i gjente ai dhe pagesën e merrte Alesio Cullhaj.
Ky fakt provohet përsëri nga lokalizimi i antenave telefonike të numrit të telefonit 067xxxx të Alesio Cullhaj ku rezulton se në telefonatën e datës 17.11.2013 ora 14:36:48 Alesio të jetë i lokalizuar në Durrës, në telefonatën e orës 16:09:32 të jetë i lokalizuar në Kavajë dhe në telefonatën e orës 16:58:52 rezulton të jetë i lokalizuar në Elbasan.
Më pas, pothuajse gjithë ditët e sipërpërmendura nga V. rezulton që Alesio të jetë i lokalizuar në Elbasan.
Më datë 20.11.2013 ata nisen për në Itali ku edhe kthehen nga policia italiane dhe V, arrin të bëjë edhe kallëzimin e saj ndaj personave që shfrytëzuan në Shqipëri dhe që më pas tentuan që ta trafikojnë në shtetin Italian me qëllim shfrytëzimin edhe atje për qëllime prostitucioni./bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat