Përgjaken rrugët, makina merr të miturat përpara, humb jetën 7-vjeçarja

Kronikë e zezë

Përgjaken rrugët, makina merr të miturat përpara, humb jetën 7-vjeçarja

Më: 22 prill 2014 Në ora: 09:54

Vetëm brenda ditës shënohen dy aksidente me dy viktima dhe tre të plagosur. Rasti i parë është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Durrës, ku dy të mitura kanë tentuar të kalojnë rrugën për të vajtur në shkollë. Fatkeqësisht automjeti ka përplasur vajzat dhe viktimë ka mbetur një 7-vjeçare. Fatmirësisht ka arritur të shpëtojë vajza tjetër vetëm 5 vjeç, e cila shkonte në kopsht dhe tashmë ndodhet e shtruar në spitalin e Durrësit. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:15 në qendër të fshatit Armath në Maminas, ku vajzat janë përplasur nga një makinë, rrugës për në shkollë teksa ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Të miturat janë dërguar menjëherë në spital, por njëra prej tyre, e identifikuar si S. Lala, nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda. Ndërkohë vajza tjetër, 5 vjeçe, po merr mjekimin e nevojshëm në spitalin e Durrësit dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se vajzat i kanë prerë rrugën makinës dhe drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të shmangë dot përplasjen. Ndërkaq policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, 30-vjeçarin Bledar Musta, i cili mësohet se është banor i fshatit i cili ka dhënë edhe shpjegimet e para në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur me dy motrat e mitura. Nga ana tjetër një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident në aksin Levan-Tepelenë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Varibob pranë Fierit. Sipas policisë fugoni me targë “AA189DT”, me të cilin po udhëtonin tre personat është përplasur fillimisht me një autoveturë dhe më pas me bordurën anësore, pasi gjatë përplasjes i ka plasur njëra gomë. Në autoveturën me targë “IEY5299” udhëtonin katër persona, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.

Ndërkohë policia e Fierit bën me dije se viktima është Qazim Aliaj 25 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur Leonard Aliaj, vëllai i viktimës si dhe Myfteak Zylalaj, shok i dy vëllezërve. Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, ndërsa aksi rrugor Levan-Tepelenë bëhet kohëve të fundit edhe aksi më i përgjakur nga aksidentet. Ende asnjë masë për atë aks, ndërkohë që ekspertët gjithnjë e lënë fajin tek drejtuesit e mjeteve pa ndërhyrë fare në infrastrukturën e rrugës, së cilës i mungon sinjalistika, po ashtu edhe hyrjet në rrugën kryesore janë një burim i pashmangshëm aksidentesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat