Shokët i vënë flakën 7 vjeçarit

Kronikë e zezë

Shokët i vënë flakën 7 vjeçarit

Më: 19 prill 2014 Në ora: 21:19

Një shtatëvjeçar është duke luftuar për jetë në një spital skocez pasi të premten mbrëma shokët e tij e kanë lyer me benzinë dhe ia kanë vënë flakën.
Preston Flores ka vrapuar në rrugë “me flakë” afër shtëpisë së tij në Aberdeen pasi rrobat e tij ishin lagur me benzinë dhe më pasi u ishte vënë flaka.
Djaloshi, i cili besohet se ka pësuar 80 për qind djegie të trupit, ka qenë viktimë e një mahie mes atij dhe shokëve, por ajo shumë shpejt është kthyer në fatkeqësi.
Mbrëmë, ai kishte qëndruar në spital në gjendje “serioze”, me nënën e tij Luisza që i ka qëndruar pranë gjatë tërë kohës.
I pyetur nëse policia është duke e cilësuar si rast kriminal, detektivja Lorna Ferguson ka thënë se është shumë herët të flitet për këtë rast. Sidoqoftë, policia skoceze ka konfirmuar se policët në vendin e ngjarjes kanë gjetur prova të mjaftueshme se djaloshit i ishte vënë flaka.
Dëshmitarët kanë treguar se si panë djaloshin duke u djegur në rrugë derisa ai bërtiste dhe kërkonte ndihmë. Një tjetër ka thënë se një person i panjohur ia shoi zjarrin me kovën me ujë.
Banorja Shona Henderson, 16, ka thënë: “Rrobat e tij ishin shpërndarë nëpër rrugë kurse këpucët e tij ende ishin në flakë”.
“Kur arritëm pranë tij, rrobat ishin ngjitur në lëkurën e tij. Ishte e tmerrshme”.
Policia mbrëmë ka konfirmuar se hetimet janë duke vazhduar. “Ne jemi duke kërkuar dëshmitarë lidhur me incidentin që të gjejmë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të parë nëse ka të dyshuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat