Biznesmeni: Çova djalin në shkollë, më pas shpërtheu tritoli në makinë

Kronikë e zezë

Biznesmeni: Çova djalin në shkollë, më pas shpërtheu tritoli në makinë

Më: 17 prill 2014 Në ora: 17:35

Një sasi prej 50 gramë tritol shpërtheu në automjetin e biznesmenit Edi Xh., në Durrës vetëm pak minuta pasi ai kishte dërguar djalin në shkollë më këtë makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:52 të mëngjesit të sotëm në lagjen Nr.1 në Durrrës kur ka shpërthyer një sasi tritoli në automjetin e markës Volksvagen me targa TR 2137 R, në pronësi të shtetasit Edi Xh., pronar i "Aragosta" një bar-restoranti dhe hotel në Durrës si dhe tregtar në fushën e kozmetikës. Sipas policisë automjeti në të cilën ishte vendosur eksploziv nga persona ende të panjohur, nuk përdorej shpesh nga biznesmeni.

Megjithatë mëngjesin e sotëm ai ka marrë pikërisht këtë mjet për të dërguar djalin në shkollë. Më pas ai është rikthyer para restorantit të tij ku ka parkuar makinën. Sapo ka zbritur nga mjeti dhe ku ndodhej vetëm pak metra larg teksa fliste me një nga punëtorët e tij, ka ndodhur dhe shpërthimi. I terrorizuar pasi ngjarja mund të kishte ndodhur kur ai ndodhej në makinë së bashku me djalin e mitur, biznesmeni njoftoi menjëherë policinë. Kjo e fundit e ka marrë atë në pyetje për të identifikuar personat me të cilët ai mund të kishte konflikte. “Nuk kam konflikte me askënd. Kam marrë kredi vetëm në banka dhe jam i rregull me pagesën e kësteve. Nuk i kam borxh asnjë individi. Nuk di kujt t’i vendos gishtin për ta akuzuar. Dyshoj se mund të ketë ndodhur për xhelozi ose është ngatërresë”, - ka thënë në polici biznesmeni. Burimet policore thanë se ende nuk dihen autorët e kësaj ngjarjeje që sipas dinamikës dyshohet se kanë pasur për qëllim të trembnin “shënjestrën”. Megjithatë burimet policore thanë për Noa.al se po vazhdojnë hetimet për zbadhjen e plotë të këtij shpërthimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat