Alkooli dhe shpejtësia u mori jetën/ Shuhen katër të rinj në aksident (Video)

Kronikë e zezë

Alkooli dhe shpejtësia u mori jetën/ Shuhen katër të rinj në aksident (Video)

Më: 12 prill 2014 Në ora: 08:12

4 të rinj të moshës nga 14 deri në 22 vjeç humbën jetën në një aksident fatal, në orët e para të mëngjesit të sotëm duke u kthyer nga Tirana drejt Kamzës.

Automjeti me targë AA533IU doli nga rruga në vendin kur zbret për në bulevardin blu, në Kamëz.

Në aksident humbi jetën 25-vjeçari Alfred Beluli, i cili drejtonte mjetin, Fatjon Driza, 22 vjeç, Jurgena Muça, 18 vjeçe dhe Klevis Muça, 14 vjeç. Këta të fundit ishin vëlla e motër.

Sipas të dhënave të para hetimore rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia e lartë.

Policia dyshon se drejtuesi i mjetit mund të kishte konsumuar alkool, pasi mendohet se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate ku kishin shkuar për të festuar.

Spitali i Traumës informoi se të rinjtë mbërritën të pajetë në spital.

Dëshmitarët thanë se është dashur ardhja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë trupat e të rinjve nga makina, pasi nga përplasja mjeti ishte dëmtuar rëndë.

“Sot rreth orës 04.45′, mjeti tip BMW me targë AA533IU, teksa po lëvizte në segmentin rrugor Kthesa e Bathores – Instituti Bujqësor Kamëz, ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit:

• Alfred B, rreth 25 vjeç drejtues i mjetit,

si dhe pasagjerët:

• Jugjena M., 18 vjeç

• Klevis M., 14 vjeç

• Fation D., 22 vjeç

Nga të dhënat e deritanishme nga hetimet e kryera në vendngjarje rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia e lartë.

Nga strukturat e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat