U nis për Egjipt, u vra në Irak

Kronikë e zezë

U nis për Egjipt, u vra në Irak

Më: 11 prill 2014 Në ora: 09:58

Nëna e kishte përcjellë me bindjen se djali i saj po shkonte në Egjipt për t’i vazhduar studimet. Por caku i djalit të saj ishte diku tjetër. 21-vjeçari Valon Musliu nga Tushila e Skenderajt, kishte kohë që po luftonte në Siri.
Familja thotë se nuk e dinin se ai ishte në luftë. Me Valonin, në Siri ka shkuar edhe i vëllai, Rexhepi. Ky i fundit është ai që ka telefonuar në familje për t’ua dhënë lajmin e zi.

Familja ka hapur të pamën menjëherë për djalin e vrarë. Tribuna qëndroi në shtëpinë e familjes Musliu të enjten, derisa njerëzit vinin për t’i ngushëlluar për vdekjen e djalit. Por Valoni nuk u vra në Siri ku kishte shkuar, por në Falluxha të Irakut.

Në mesin e atyre që shkonin të enjten për të ngushëlluar, u panë edhe të tjerë të veshur ndryshe nga kosovarët e zakonshëm. Ata kishin veshje tjetër e me mjekra pak më të gjata.

Familjarët qëndronin të fortë. Dukeshin se po mbaheshin nga dhimbja e nuk ligështoheshin nga humbja e familjarit të tyre të ri.

Madje ata vrasjen në Falluxha, e konsiderojnë sakrificë të tij për të luftuar kundër regjimit të diktatorit sirian Bashar Al Asad. Edhe pse Falluxha është në Irak e jo në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat