Policia ndalon 4 persona të dyshuar për vjedhje

Kronikë e zezë

Policia ndalon 4 persona të dyshuar për vjedhje

Më: 10 prill 2014 Në ora: 16:35

Pas një pune të suksesshme operative, njësitet e Stacionit Policor të Ferizajt, në dy raste të ndara, kanë arrestuar katër persona, të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale të vjedhjes së veturave dhe të vjedhjes së rëndë në Ferizaj dhe në rrethinë.

Bëhet e ditur se në rastin e parë, policia e Ferizajt ka kapur në flagrancë të dyshuarin, Fatbardh S. 23 vjeç, i cili në oborrin e shtëpisë së tij, po e shkatërronte veturën, “Opel Vectra”, të vjedhur në njërën nga rrugët e qytetit.

Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se policia me këtë rast ka konfiskuar veturën e gjetur, ndërkaq në oborrin e të dyshuarit janë gjetur edhe disa pjesë të veturës, “Golf 2”, të cilat dyshohen se i përkasin veturës, të raportuar të vjedhur ditë më parë. "I dyshuari e ka pranuar veprën dhe me urdhër të prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë", ka thënë Gashi.

Sipas zëdhënësit, Gashi, në rastin tjetër, vjedhje e rëndë, të ndodhur në Prelez të Jerlive, policia ka arrestuar tre persona.

"Pasditen e së martës, të dyshuarit, Qëndrim R. 22 vjeç, i mituri L.M. dhe Dardan B. 25 vjeç, duke e hapur me forcë dritaren e shtëpisë së viktimës, I.F. kanë vjedhur një orë dore, ndërsa kanë tentuar ta vjedhin edhe një televizor", ka thënë Gashi.

Mësohet se me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar dhe rasti është proceduar me procedurë të shpejtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat