RENEA dhe Delta Forcë bllokojnë 2 ton hashash në Vlorë

Kronikë e zezë

RENEA dhe Delta Forcë bllokojnë 2 ton hashash në Vlorë

Më: 7 prill 2014 Në ora: 08:35

Aksion antidrogë në mbarë vendin zbulon dy tonë kanabis në Vlorë dhe 30 kilogramë lënde narkotike që po transportohej nga Miloti në drejtim të Shkodrës. Ndërsa në pranga kanë përfunduar pesë trafikantë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kishin krijuar një linjë të shitjes dhe shpërndarjes së drogës në tregun e zi. Në kërkim nga ana e policisë për të dyja aksionet janë të shpallur tetë persona, për të cilët po vijojnë hetimet. Nga burime të policisë së Milotit bëhet me dije se janë evidentuar shtatë personat e përfshirë në trafikun e drogës dhe vetëm katër prej tyre janë arrestuar. Sipas bluve, të arrestuarve u janë sekuestruar, gjatë një operacioni “blic”, 30 kilogramë lëndë narkotike, që ishin duke e transportuar me dy makina, një “Benz” dhe një “Volksvagen”. Katër nga të arrestuarit janë: Gjok e Ardit Kalthi, Agustin Marku e Tonin Ruci. Bashkë me lëndën narkotike, atyre iu janë sekuestruar edhe dy makinat, me të cilat e transportonin. Operacioni i Policisë së Shtetit kundër trafikantëve të drogës është ende në vazhdim dhe priten zhvillime edhe në orët në vazhdim. Ndërsa të arrestuarit janë marrë në pyetje për të zbuluar emrat e bashkëpunëtorëve të tjerë, po vijon aksioni për kapjen e tre të shpallurve në kërkim, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije për arsye hetimore.

Vlorë

Sekuestrohet dy tonë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe në pranga është vënë një person i dyshuar si trafikuesi i kësaj sasie droge. Ky është bilanci i një aksioni të finalizuar nga policia kufitare dhe ajo e Vlorës mesditën e djeshme në afërsi të pyllit të Akërnisë. Lënda narkotike po transportohej me një makinë tip furgon drejt bregdetit, ku pritej të ngarkohej në gomone dhe të nisej drejt Italisë. Blutë e Vlorës kanë ndaluar edhe drejtuesin e fugonit, ndërsa kanë shpallur në kërkim edhe pesë persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Përveç sasisë së drogës, blutë e Vlorës kanë sekuestruar edhe mjetin tip furgon që po transportonte lëndën narkotike si dhe një tjetër makinë tip fouristradë, drejtuesit e së cilës e braktisën atë sapo u pikasën nga policia. Këta të fundit të ndihmuar edhe forcat RENEA vijojnë aksionin në terren për ndalimin e trafikantëve të tjerë, ndërsa efektivët e ‘Delta Forcë’ kanë nisur kërkimet për skafin ku pritej të ngarkohej lënda narkotike. Ndërkohë që vetëm para një muaji nga ana e bluve u zbulua baza ku trafikantët kishte fshehur një gomone, me të cilën bënin kalimin klandestinë të lëndës narkotik në drejtim të Italisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat