Sherr në trafik në Fushë Kosovë, i riu kërcënon me armë një person – intervenon Policia

Kronikë e zezë

Sherr në trafik në Fushë Kosovë, i riu kërcënon me armë një person – intervenon Policia

Më: 2 mars 2024 Në ora: 00:24
Foto ilustrim

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në probleme serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Fushë Kosovë, ku pas një zënke në komunikacion, një 25-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar me armë një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 18-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka njoftuar se i dyshuari me qëllim që ta frikësojë ka ekspozuar armën që po bartte me vete.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kontrolluar veturën e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë me fishekë.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat