Tmerri nga 2 euroshet false, në ‘Pro Credit’ në Prishtinë detektohen mbi 1 mijë monedha false

Kronikë e zezë

Tmerri nga 2 euroshet false, në ‘Pro Credit’ në Prishtinë detektohen mbi 1 mijë monedha false

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 16:09

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i bankës ‘Pro Credit’ në Prishtinë, i cili ka njoftuar se janë detektuar rreth 2 mijë e 500 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet bëjnë me dije se prej tyre, janë më shumë se 1 mijë monedha metalike 2 euroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat