Këta janë tre të arrestuarit e tjerë për të shtënat me armë para disa javësh në Prishtinë

Kronikë e zezë

Këta janë tre të arrestuarit e tjerë për të shtënat me armë para disa javësh në Prishtinë

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 08:22
Foto ilustrim

Pas rreth 3 javësh, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarit për incidentin me të shtëna me armë zjarri, në fund të muajit janar, në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Pas një aksioni, ku u zhvillua edhe bastisje, fillimisht është prangosur njëri prej tyre, ndërsa tashmë janë kapur edhe tre të dyshuar të tjerë.

Media ka mësuar ekskluzivisht se përveç Nuhi Bashotës, të dyshuarit që ranë në prangat e Policisë janë Albert Jahaj, Dardan Zena dhe Fitim Salihu.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se gjatë operacionit për arrestimin e tyre janë sekuestruar edhe dy armë zjarri. 

“Aksionet e hetuesve policor, janë ndërmarrë mbrëmë në koordinim me prokurorin e shtetit, ku pas identifikimit të lokacioneve dhe personave të dyshuar, kanë shoqëruar në polici personat e dyshuar dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri.”

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se njëra armë është gjetur te i dyshuari Albert Jahaj, teksa tjetra në banesën e të dyshuarit Salihu.

Pas përfundimit të procedurave te nevojshme policore, personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat