Burri recidivist i dhunës në familje denoncohet në Polici nga gruaja, Prokurori e liron

Kronikë e zezë

Burri recidivist i dhunës në familje denoncohet në Polici nga gruaja, Prokurori e liron

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 06:46
Foto ilustrim

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Viti, ku një burrë i dyshuar për dhunë është liruar nga Prokuroria.

Burimet kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga viktima, e cila e ka raportuar bashkëshortin për dhunën psikike të vazhdueshme që ka ushtruar ndaj saj.

Rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, ku i dyshuari i ka bërë presion gruas së tij, e cila u detyrua ta raportojë në Polici.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Sipas informacioneve, edhe pse i dyshuari është recidivist i dhunës në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat