Këta janë të dyshuarit që tentuan t’i transportojnë 8 armë me autobus në Gjermani, i futën në qese të çajit

Kronikë e zezë

Këta janë të dyshuarit që tentuan t’i transportojnë 8 armë me autobus në Gjermani, i futën në qese të çajit

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 23:23
Ilustrim

Gazeta raportoi sot për arrestimin e dy personave që dyshohet se tentuan t’i dërgojnë në Gjermani tetë armë, përmes një agjencie turistike, ku e dërguan çantën, në të cilën kishin fshehur revolet. Të dyshuarit u kapën në flagrancë në Klinë nga pronari i kompanisë së autobusëve, i cili njoftoi Policinë dhe si rezultat të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që u arrestuan për këtë rast janë Dukagjin Nimani dhe Hasan Ala, të cilët po hetohen për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, tetë armët janë fshehur në një qese me çaj, të futura në mes të rrobave, me qëllimin për t’i transportuar në Gjermani nga autobusi i kompanisë “Try Tours”.

Fillimisht është arrestuar i dyshuari Ala, i cili u kap mat nga pronari i kompanisë, që e kontrolloi çantën e tij, e më pas është prangosur edhe i dyshuari tjetër Nimani.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast janë dhënë detaje se çka u gjet dhe u sekuestrua pas kontrollit të çantës.

“Me datë 04.10.2023, rreth orës 06:30, policia është njoftuar nga pronari i një agjencie turistike se ka pranuar një çantë nga dy qytetarë për ta transportuar në Gjermani me autobus, i njëjti e ka hapur çantën në prezencën e personave të cilët e kishin sjellë çantën. Me të hapur çantën pronari i agjensionit e ka vërejtur se aty kishte një armë. I njëjti menjëherë ka lajmëruar policinë, me të vërejtur se dëshmitari është duke lajmëruar policinë njëri nga të dyshuarit ka ikur nga vendi i ngjarjes.”

Njësitet relevante të Stacionit Policor Klinë, menjëherë kanë dalë në vendngjarje ku ka arrestuar njërin nga të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në çantë janë gjetur dhe sekuestruar:

Tetë armë pistoleta Zoraki 7.65mm

Tetë karikator të armëve Zoraki

Njëmbëdhjetë fishekë kal: 7.65mm dhe

Dhjetë fishekë 6.35mm

Për rastin është njoftuar prokurori, i njëjti ka urdhëruar që të bëhet kontrolli i shtëpive të personave të dyshuar, pas bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve nuk është gjetur diçka e dyshimtë, mirëpo është arrestuar edhe personi i dytë.”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat