Dyshohet se vodhi rreth 500 euro nga kasaforta e një shitoreje në Malishevë, arrestohet 21-vjeçari

Kronikë e zezë

Dyshohet se vodhi rreth 500 euro nga kasaforta e një shitoreje në Malishevë, arrestohet 21-vjeçari

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur në Malishevë, pasi një person dyshohet se kreu vjedhje në një shitore në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 21-vjeçari është identifikuar pas pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë që monitorojnë atë zonë . I dyshuari është emër i njohur për organet e rendit, si recidivist i veprave penale.

Pas veprimeve hetimore, njësitë policore kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit dhe i njëjti është arrestuar e më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Sinjali mëson se ai dyshohet se ka vjedhur nga kasaforta e shitores një shumë të parave të gatshme që kapin vlerën e rreth 500 eurove. Gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë, të riut i janë gjetur një shumë e konsiderueshme e parave, të cilat dyshohet se i kishte përfituar me anë të veprës penale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat