Therje me thikë në Rahovec: 27-vjeçari dërgohet në spital, arrestohen dy të dyshuarit

Kronikë e zezë

Therje me thikë në Rahovec: 27-vjeçari dërgohet në spital, arrestohen dy të dyshuarit

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 08:34
Rahovec

Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit , ku mbeti i therur me thikë një person.

Këtë herë në rast janë përfshirë tre persona, që dyshohet se u kapën për motive akoma të panjohura. Përleshja eskaloi deri në përdorimin e thikës, me ç’rast një 27-vjeçar mbeti i lënduar rëndë.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është dërguar me lëndime të rënda në spital, por sipas informacioneve të para nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Në anën tjetër, dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia, teksa thika që dyshohet se është përdorur u sekuestrua nga zyrtarët policorë që intervenuan në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të caktohet masa e ndalimit dhe të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat