I mituri ther me thikë shokun e tij në Fushë Kosovë, dërgohet në mbajtje

Kronikë e zezë

I mituri ther me thikë shokun e tij në Fushë Kosovë, dërgohet në mbajtje

Më: 21 prill 2023 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve, por ka herë kur ndodh që aksidentalisht shkaktojnë lëndime te personat e tjerë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovë, ku dy të mitur janë përfshirë në një incident.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kohë që dy të miturit po luanin me një thikë, në një moment njëri nga ta dyshohet se e ka goditur me thikë shokun e tij.

16-vjeçari është dërguar me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë dhe pas dhënies së ndihmës së parë, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë arrestuar të dyshuarin.

I mituri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencë të avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat