Klienti ia hedh keq taksistit në Prishtinë: E paguan me para false, ia merr kusurin origjinal

Kronikë e zezë

Klienti ia hedh keq taksistit në Prishtinë: E paguan me para false, ia merr kusurin origjinal

Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës.

Kështu e ka pësuar së fundi një taksist në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, të cilit një klient ia ka hedhur keq, duke paguar me para false. Viktima ka pranuar nga njëri prej klientëve të tij një kartëmonedhë prej 20 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Mësohet se rasti është raportuar dje në Polici, ku viktima ka deklaruar se nga tre klientë ka pranuar 20-she, njëra prej të cilave dyshohet të kenë qenë false.

Siç duket kjo është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, pasi i dyshuari ia ka dhënë taksistit paratë false dhe i njëjti ia ka kthyer kusurin origjinal.  

Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa kartëmonedha është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat