Falsifikuan dokumente, arrestohen dy persona

Kronikë e zezë

Falsifikuan dokumente, arrestohen dy persona

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Departamentin për Hetimin të Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, ka ndaluar dy persona, I.L dhe M.T, njëri prej tyre avokat, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Të ndaluarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje ​paraprake dhe me qëllim të përfitimit personal, në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme.

“Të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar certifikatën e gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat