Dënohet për ryshfet me 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë ish-drejtori i Administratës dhe Financave të KPM-së

Kronikë e zezë

Dënohet për ryshfet me 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë ish-drejtori i Administratës dhe Financave të KPM-së

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 11:58
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Bilalli po akuzohej bashkë me ish-kryeshefin e KPM-së, Luan Latfi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Në seancën e mbajtur më datë 25 korrik 2022 Bilalli kishte pranuar fajësinë, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm dhe ndaj këtij të fundit u veçua procedura.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bilalli u shpall të enjten nga gjyqtari Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket dënimit me burgim prej 140 ditëve, gjyqtari Ajvazi tha se të akuzuarit Bilalli do t’i llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim dhe koha të cilën e ka kaluar në arrest shtëpiak, i cili dënim do të ekzekutohet pas shpalljes së këtij aktgjykimi.

Ndërsa, nëse i njëjti nuk mund ta paguaj gjobën prej 12 mijë euro, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim, ku do t’i llogaritet një ditë burgim për 20 euro.

Gjithashtu të njëjtit në emër të dënimit plotësues, i ndalohet ushtrimi i  funksionit publik në administratë publike ose shërbime publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, i akuzuari Bilalli është obliguar të paguajë nga 50 euro për paushallin gjyqësor dhe fondin për viktimat e krimit.

Ndërsa, palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes ë kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, paraprakisht në të njëjtën ditë është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja Merrushe Llugiqi, ndër të tjera i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin Bilalli ta shpall fajtor dhe të njëjtit t’i shpall dënim plotësues.

“I propozoj gjykatës të njëjtit ta shpall fajtor për veprën penale të kryer dhe t’i shqiptohet dënim plotësues ashtu siç është propozuar në aktakuzë”, ka deklaruar prokurorja Llugiqi.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari ka propozuar gjykatës që Bilallit t’i shpall dënim sipas politikës ndëshkimore duke u bazuar në udhëzuesin për politika ndëshkimore të Gjykatës Supreme.

“Në këtë rast kërkojmë nga gjykata që të njëjtit t’i shqiptoj një dënim sipas politikës ndëshkimore të paraparë me ligj, duke u bazuar gjithmonë në udhëzuesin për politika ndëshkimore të rekomanduar nga Gjykata Supreme”, ka thënë i njëjti.

Ndërsa, në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Bilalli, avokati Florent Latifaj tha se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë edhe në fazën e hetimeve dhe gjithashtu ka qenë bashkëpunues me organet e ndjekjes.

“Siç e dini i mbrojturi im Arben Bilalli edhe në seancën fillestare por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor ka pranuar fajësinë. Siç e dini i njëjti edhe gjatë fazës së hetimeve ka pranuar fajësinë, i njëjti ka qenë bashkëpunues me organet e ndjekjes duke pranuar të gjitha veprimet e tij, inkriminim e tij në këtë vepër penale dhe sjelljen e tij pas kryerjes së veprës penale”, ka thënë avokati Latifaj.Tutje, avokati Latifaj ka thënë se duhet të merret për bazë edhe fakti se i akuzuari Bilalli nuk ka të kaluar kriminale ose procedurë penale dhe se i njëjti ka dorëzuar edhe dokumentacion mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Në vazhdim ai ka propozuar që dënimi të ulet në minimum në pajtim me dispozitat ligjore mbi uljen e dënimit.

Me avokatin Latifaj u pajtua i mbrojturi i tij, i akuzuari Bilalli i cili tha se ndjehet fajtor dhe i vije shumë keq për atë që ka ndodhur.

“Ndihna fajtor dhe më vjen shumë keq për atë që ka ndodh”, deklaroi i akuzuari Bilalli.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Ndërsa, pas ankesës së avokatit Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi  dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat