Deçan, arrestohet personi që inskenoi grabitjen duke u lidhur në litar

Kronikë e zezë

Deçan, arrestohet personi që inskenoi grabitjen duke u lidhur në litar

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 18:53
Foto ilustrim

Një person, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është dërguar në mbajtje për 48 orë pasi një ditë më parë inskenoi grabitjen e tij nga persona të armatosur.

Në një komunikatë për media thuhet se dje, rreth orës 08:47, Stacioni Policor në Deçan, ka pranuar informatë se në rrugën Deçan – Gjakovë, një person është i lidhur me litar pranë një automjeti.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka dërguar personin në QKMF-Deçan për trajtim mjekësor. Personi ka deklaruar se derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij ne drejtim të Deçanit, është ndaluar nga tre persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët sipas tij, i kishin grabitur rreth 3,000 euro.

Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit për të koordinuar veprimet hetimore.

Gjatë hetimeve është vërtetuar se personi, tani i dyshuar, ka paraqitur rrejshëm veprën penale të cilësuar si grabitje. I njëjti, nga personi viktimë për veprën grabitje, tani është i dyshuar për veprën penale deklarim i rremë, dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat