Policia e Kosovës në aksion/ Kapet sasi e madhe e drogës dhe parave

Kronikë e zezë

Policia e Kosovës në aksion/ Kapet sasi e madhe e drogës dhe parave

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 14:32
Pamje nga konferenca

(E plotësuar 16:01) - Arrestohen 5 persona dhe sekuestrohen 75 kg drogë në operacionin “Bardhoshi”

Rreth 75 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë ka sekuestruar Policia e Kosovës gjatë operacionit “Bardhoshi” në Prishtinë.

Dje dhe sot janë arrestuar pesë të dyshuar për veprën “blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve psikotroke dhe analoge”. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit ndodhen në ndalim. Kjo sasi e drogës dyshohet se ka hyrë në Kosovë nga vendet fqinje dhe ishte e destinuar për vendet e BE-së.

Prokurorja e rastit, Ikramije Bojaxhiu, në një konferencë për media, tha se të dyshuarit S. H., S. S., D. M., B. B. dhe M. S., janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Sipas saj, ky operacion është arritur në bashkëpunim të qytetarëve me prokurorinë.

Bojaxhiu: Gjatë kontrollit janë sekuestruar vetura, telefona dhe para të gatshme

“Të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale. Fillimisht ditën e djeshme janë arrestuar katër persona të dyshuar. Por, sot pas ndërmarrjes së veprimeve në terren nga zyrtarët policorë, po ashtu është arrestuar personi i pestë, i dyshuar për disa vepra penale. Gjatë kontrollit të këtyre lokacioneve janë sekuestruar disa vetura, disa telefona, para të gatshme dhe disa gjësende të tjera”, ka thënë ajo.

Drejtori në Departamentin për Hetime të Trafikimit Narkotik, Reshat Murseli tha se hetimet kanë nisur katër muaj më parë ku janë ndërmarrë veprime hetimore që rezultuan me arrestimin e pesë personave.

Murseli: Operacioni policor ka filluar në orët e pasdites së djeshme

“Operacioni policor ka filluar në orët e pasdites së djeshme të datës 10, përderisa Njësia Rajonale në Prishtinë kishte dyshime të arsyeshme dhe ka vërejtur se i dyshuari M.S me veturën e tij Golf-6, ngjyrë e bardhë ishte duke lëvizur në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Në hyrje të qytetit të Vushtrrisë kishte kërkuar nga njësitet patrulluese që të ndalohet për një kontrollë rutinore. Pasi që zyrtarët kanë bërë ndalimin e veturës dhe kanë kërkuar që të hapte bagazhin, i njëjti me vrull dhe shpejtësi është nisur nga vendi i ndaljes, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policor dhe duke vazhduar me shpejtësi të jashtëzakonshme ka aksidentuar pjesëmarrës dhe vetura të tjera në komunikacion”, ka deklaruar ai.

Lidhur me këtë, siç tha Murseli, Stacioni Policor në Vushtrri ka iniciuar procedura ku më pas policia ka arritur të arrestojë këtë person. Ai kishte lënë veturën duke tentuar të ikte në këmbë në një fshat të Vushtrrisë.

Murseli: Dje janë gjetur 20 kilogramë drogë, më pas në shtëpinë e të dyshuarit të dytë 55 kilogramë të tjerë

"Më pas është bërë kontrolli i bagazhit të veturës dhe janë gjetur paketime me marihuanë në sasi prej 18 copa, me peshë të përgjithshme kanë rezultuar rreth 20 kilogramë. Me urdhër të gjykatës të procedurës paraprake është kryer një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit M.S. në Mitrovicë, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Duke pasur prova dhe dyshime se nga ishte nisur droga, njësitet policore kanë vazhduar në fshatin Bardhosh në shtëpinë e të dyshuarit të dytë B.B. dhe në kontroll në cilësi të provave materiale në lokalet e shtëpisë së tij janë gjetur gjithsej 50 paketime me marihuanë, të cilat ishin të fshehura në disa gurë dhe në një pjesë të bagazhit, i cili ishte i vendosur në afërsi të tyre. Pas matjes së peshës së tyre, ka rezultuar se janë 55 kilogramë shifra, të cilat janë të regjistruar. Janë gjetur edhe 193 fishekë të kalibrit A47, një pjesë përbërëse e pistoletës, një fotrollë e revoles. Janë sekuestruar në cilësi të provës materiale vetura Golf-6, vetura Skoda, Passat, gjashtë telefona mobilë, 1600 euro para dhe 2700 dinarë të Serbisë”, ka treguar Murseli, derisa ka shtuar se në lidhje me rastin e njëjtë në Prishtinë janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.

Këta persona dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal dhe është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Po ashtu, paraditen e sotme është arrestuar edhe i dyshuari i pestë me inicialet B.B., për të cilin prokuroria do të vendosë për ndalim.

Drejtori në Departamentin për Hetime të Trafikimit Narkotik ka njoftuar se sasia e narkotikëve dyshohet të ketë ardhur nga vendet fqinje dhe të jetë e destinuar për vendet e BE-së.

***

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë njoftuar se pas operacionit të quajtur “Bardhoshi”, janë kapur 75 kilogramë drogë, të llojit marihuanë.

Sipas Reshat Murselit, Drejtoria e Hetimit dhe Trafikimit për Narkotikë, droga që është gjetur gjatë këtij aksioni ka ardhur nga vendet fqinje dhe ka qenë e destinuar për vendet e Bashkimit Evropian.

“Në ndjekje e sipër policia ka arritur ta kapë të dyshuarin, i cili i ka sulmuar fizikisht policët duke u munduar t’i shmangë. Pas kontrollit të veturës së tij janë gjetur 20 kilogramë marihuanë në bagazh. Gjatë bastisjes në shtëpi në Mitrovicë nuk është gjetur asgjë, pastaj policia është nisur në shtëpinë e të dyshuarit të dytë në Bardhosh, ku në lokalet e tij u gjetën 55 kilogramë me marihuanë, 193 fishekë, pjesë përbërëse të revoles, fotrolle e revoles, vetura, gjashtë telefona, 1600 euro para dhe 2700 dinarë të Serbisë. Në Prishtinë janë arrestuar edhe tre persona, një kosovar e dy serbë që dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal dhe ndaj të njëjtëve i është caktuar masa e ndalimit prej 24 orë, në Ferizaj është arrestuar i dyshuari i pestë. Droga dyshohet të ketë qenë nga vendet fqinje dhe ka qenë e destinuar për vendet e BE-së“, ka thënë Murseli.

***

Sasi e madhe e parave dhe lëndëve narkotike janë sekuestruar në një aksion të madh të Policisë së Kosovë, të zhvilluar sot.

Media ka siguruar pamje nga sasia e drogës dhe parave të sekuestruara nga Policia e Kosovës, të cilat janë ekspozuar në stacionin qendra në Prishtinë.

Do të ju mbajmë të informuar për lokacionin e saktë ku është zhvilluar aksioni dhe për sasinë e parave dhe drogës së sekuestruar

Image
Kapet sasi e madhe e drogës dhe parave

Vijon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat