Rrahën nënën e vëllain, paraburgosen babë e bir nga Mamusha

Kronikë e zezë

Rrahën nënën e vëllain, paraburgosen babë e bir nga Mamusha

Më: 19 maj 2021 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren, gjegjësisht gjyqtarja e procedurës Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë ndaj të pandehurve E.B. dhe S.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, kurse i pandehuri S.B., edhe për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve E.B., dhe S.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Gjykatës, “me datën 03 maj 2021, në Mamushë në shtëpinë familjare, të pandehurit në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të lehta trupore familjarëve të afërt, rast i cili rezulton me dëmtimin e përkohshëm të një pjese të trupit të personit tjetër, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake në mes të pandehurit S.B. dhe të dëmtuarës (bashkëshortes së të pandehurit S.B., e cila është nëna e të pandehurit E.B.), të pandehurit e godasin me grushte nëpër trup të dëmtuarën, pastaj i pandehuri E.B. e tërheqë zvarrë të njëjtën nga vendi ku ka ndodhur konflikti e deri në një dhomë tjetër, ndërsa i pandehuri E.B. e godet me shuplakë në fytyrë edhe vëllain e tij – të dëmtuarin – duke u shkaktuar të dyve lëndime të lehta trupore”.

“Kurse i pandehuri S.B., deri me datë 17 maj 2021, në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi dhe në posedim në kundërshtim me Ligjin për armët të Republikës së Kosovës dhe pa autorizim të organit kompetent armët: pesë (5) pistoleta, 317 fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe dy fishekë të kalibrit të panjohur”, ka thënë Gjykata.

Se a do të argumentohen këto fakte, Gjykata thotë se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që procedura hetimore është në fazën fillestare, dhe më tutje duhet të merren prova tjera me qëllim të zbardhjes së ngjarjes.

Gjithashtu, me rastin e caktimit të paraburgimit, gjyqtarja e procedurës ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, faktin se dy të pandehurit – babë e bir kanë sulmuar dhe kanë shkaktuar lëndime viktimave (familjarëve të tyre të afërt), si dhe duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurve për kryerjen e këtyre veprave penale, pasi që nga deklarata e të dëmtuarve (viktimave) rrjedh se të njëjtit “kanë ushtruar edhe më herët dhunë fizike ndaj viktimave”, si dhe fakti se “të dëmtuarit për shkak të frikës për jetën dhe sigurinë e tyre kanë qenë të detyruar që të largohen edhe nga shtëpia”, si dhe fakti se “të pandehurit kanë kërcënuar se nuk do të lejojnë që e dëmtuara të kthehet në shtëpi”, andaj duke marr parasysh të lartcekurat, si dhe sigurinë e të dëmtuarve, është mendimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, mirëpo ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat