Një 38-vjeçar nga fshati Malishevë e Komunës së Gjakovës ka vdekur sot si pasojë e rrëzimit nga një objekt në ndërtim e sipër në Gjakovë.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar Nysret Gjurkaj nga Policia rajonale për Gjakovë, sipas të cilit rasti tragjik ka ndodhur në orën 16:20 në rrugën “Selman Riza”.
“Stacioni policor-Gjakovë ka pranuar informatën lidhur me një person, i cili kishte rënë nga një objekt në ndërtim e sipër nga kati i pestë në rrugën "Selman Riza"-Gjakovë. Patrulla policore në vendngjarje ka konfirmuar incidentin. Në vendngjarje ka dalë ambulanca, e cila ka dërguar viktimën në Spitalin Rajonal "Isa Grezda" – Gjakovë, ku është konfirmuar vdekja e tij”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë përgjegjëse, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe prokurori kujdestar dhe inspektori i punës, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar për obduksion.