Deçani përfiton nga MMPH-ja më shumë se tre milionë euro - Bota Sot
Deçani përfiton nga MMPH-ja më shumë se tre milionë euro

Kosova

E enjte, 26 prill 2018

Deçani përfiton nga MMPH-ja më shumë se tre milionë euro

Më: 14 prill 2018 Në ora: 18:24
Ilustrim

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka vizituar komunën e Deçanit, me ç’rast ka nënshkruar 4 memorandume mirëkuptimi me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Memorandum bashkëpunimi, ministrja Reshitaj ka nënshkruar edhe me kryeshefin e KUR “Hidrodrini”, Agron Tigani.

Reshitaj deklaroi se këto memorandume mundësojnë realizimin e disa projekteve që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në jeten  dhe mirëqenien e qytetarëve të Deçanit.

“Janë ndarë 3 milionë e 580 mijë euro për disa projekte kapitale përfshirë, Ujësjellësit në fshatin Strellc, kanalizimi në Deçan, ujësjellësi që do të furnizojë 10 fshatra dhe shtrati i lumit Lumbardh. Këto projekte janë vetëm fillimi i asaj çfarë mund të bëjmë për Deçanin, që ka qenë i lënë anash me projekte në të kaluarën”, ka thënë Reshitaj.

Ajo veçoi edhe mbështetjen financiare për rregullimin e shtratit të lumit Lumbardh të Deçanit në vlerë prej 3 milionë euro ku për këtë vit janë ndarë 500 mijë euro.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, falënderoi ministren Reshitajn për këto projekte madhore për Deçanin.

“Falënderoj ministren për ndarjen e këtij buxheti që do ndikojë për të mirë në jetën e qytetarëve të Deçanit.  Këto janë projekte thelbësore për komunën tonë”, theksoi Ramosaj.

Ministrja Reshitaj e shoqëruar edhe nga kryetari Ramosaj vizituan Grykën e Deçanit, për të parë për së afërmi degradimin e shtratit të këtij lumi.

“Jemi duke vëzhguar se çfarë mund të bëjmë më shumë për disa degradime të lumit  “ Lumbardh” të Deçanit”, theksoi në fund ministrja Reshitaj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test