Vitin e kaluar në Kosovë u kurorëzuan 16.051 çifte bashkëshortore

Kosova

Vitin e kaluar në Kosovë u kurorëzuan 16.051 çifte bashkëshortore

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 14:42
Ilustrim

Vitin e kaluar në Kosovë janë kurorëzuar 16.051 çifte bashkëshortore, ndërsa jashtë Kosovës janë kurorëzuar 1. 359 çifte, tregon një raport i publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i cili ka të bëjë me “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2016.

Bazë e këtyre të dhënave janë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile në Kosovë. Kështu, në vitin 2016 janë grumbulluar gjithsej 17 410 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3.

Komuna e Prizrenit zë vendin e parë në Kosovë me 1.486 kurorëzime, ose 8.5%, pasuar nga Prishtina me 1.372 kurorëzime, ose 7.9%, ndërsa në vendin e tretë është Ferizaj me 995 kurorëzime, ose 5.7% etj.

Përkatësia etnike e femrave dhe meshkujve të kurorëzuara është: shqiptare, femra me 92.2% dhe meshkuj me 95.7%; serbe, femra me 0.9% dhe meshkuj me 0.9%; turke, femra me 0.4% dhe meshkuj me 0.5%; boshnjake, femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%;  rome, ashkalike dhe egjiptiane, femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%,; kurse me përkatësi tjetër janë femra me 4.2% dhe meshkuj 0.6%.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.8-vjeçare, prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31.6-vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave 28.1-vjeç.

Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24-vjeç me 5 238 raste ose 32.6%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29-vjeçare me 4 877, ose 30.4%.  

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri  i femrave të kësaj kategorie është 10.037, ose 62.5%, dhe e meshkujve 11 476, ose 71.5%. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat