Komunitetet ankohen për zbatim të ligjit për shërbimin civil

Kosova

Komunitetet ankohen për zbatim të ligjit për shërbimin civil

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 12:22

Komunitetet në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre për mos zbatimin e ligjit për shërbimin civil të Kosovës, përkatësisht nenin 11, i cili obligon që në çdo institucion të ketë dhjetë për qind të shërbimit civil nga komunitetet pakicë në vend. Sipas përfaqësuesve të pakicave gjatë monitorimit të zbatimit të ligjit kanë gjetur të dhëna se përfaqësimi i komuniteteve në shërbimin civil ka shumë mangësi.

Se ky ligj nuk po zbatohet siç duhet, e thotë edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Mustafë Myrtaj, sipas të cilit përfaqësimi i komuniteteve pakicë në shërbimin civil ende mbetet sfidë.

Kryesuesi i grupit punues që ka monitoruar zbatimin e ligjit për shërbimin civil, përkatësisht zbatimin e nenit 11, Veton Berisha tha se kanë gjetur se nuk po zbatohet ky nen i cili parasheh punësimin e komuniteteve në nivel qendror deri në 10 për qind të shërbimit civil në një institucion të jenë nga komunitetet.

Berisha: Nuk po zbatohet neni 11 i ligjit për shërbimin civil

“Në bazë të statistikave që ne kemi dhe janë prezantuar, të gjitha komunitetet pakicë kanë vërejtje për mos implementim të këtij ligji, edhe komuniteti serb, edhe ai turk, edhe boshnjak, edhe egjiptian, edhe shkali edhe rom, edhe gjithë tjerët. për sh kak se një grup i tyre kanë dal që nuk pajtohen me këto statistika, do të thotë ka shifra që janë prezente në tabelë dhe nuk pajtohen sepse nuk janë reale në bazë të vlerësimit të komunitetit. Ndërsa tri komunitetet tjera rom, egjiptian dhe shkali nuk kanë pse të ankohen sepse statistikat e tyre përfundimisht janë zero, zero, zero. Përjashtimisht në dy tri pozita, po flasim për pozita të larta drejtuese, ndërsa në statistikat që janë në pozita tjera të shërbyesve civil komunitetet i kanë disa statistika prapë nuk pajtohem sepse thuhet që nuk janë reale dhe vërtetë kjo çështje është shqetësuese”, tha Berisha.

Deputeti nga komuniteti boshnjak Qerim Bajrami tha se neni 11 i ligjit për shërbimin civil nuk është përkufizuar ashtu siç duhet, pasi u ka dhënë mundësi institucioneve të caktuara që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të mungesës së mbikëqyrjes.

Bajrami: Nuk po zbatohet neni 11 i ligjit për shërbimin civil

“Në këto institucione kishte kërkesë që të plotësojnë vende të lira për komunitetet jo shumicë. Një problem tjetër sa i përket zbatimit të nenit 11 pranimi në shërbimin civil, sipas të dhënave, raporteve që kemi pranuar, dhe ky raport është bazë e diçka, e shihni që struktura e personave të punësuar është e pafavorshme sa i përket numrit të përgjithshëm posaçërisht sa i përket kualifikimeve, prandaj nuk kemi asnjë sekretar të përhershëm nga pjesëtarët e komunitetit jo shumicë, apo drejtor apo mbikëqyrës apo epror, nuk kemi pjesëtar të komuniteteve në pozita drejtuese dhe kjo duhet ë zgjidhet në të ardhmen”, tha Bajrami.

Ndërsa, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal që vjen nga komuniteti serb, Ljubomir Mariq, ka shprehur zhgënjimin e tij me mos themelimin e grupit ndërministror për çështjen e përfaqësimit apo plotësimin e kësaj dispozite të ligjit për shërbimin civil të Kosovës.

Mariq: Duhet të formohet grupi ndërministror për çështjen e përfaqësimit

“Ajo që duhet të theksoj është se fatkeqësisht grupi ndërministror për çështjen e përfaqësimit apo të plotësimit të kësaj dispozite nuk është formuar ende. Shpresoj që kjo të ndodh shumë shpejt sepse ai grup puna e parë që duhet të bëj është që të hartojë një raport për gjendjen e saktë statistikore sepse ajo që kemi provuar të bëjmë në periudhën e mëparshme, këto të dhëna ndryshojnë. U theksua se ka disa prezantime të këtyre gjetjeve, kështu që duhet të kalojë edhe pak kohë për të marr të dhëna të sakta”, theksoi ai.

Sipas ministrit Mariq, mungesa e një organi në nivelin ekzekutiv është pasojë e kësaj që nuk ka pasur realizim dhe zbatim të këtyre dispozitave kushtetuese dhe ligjore.

Edhe zëvendësministri i Administratës Publike Mustafë Myrtaj ka theksuar mungesën e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në shërbimin civil të Kosovës. Myrtaj tha se sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Administratës Publike, të vitit 2014, nga totali i shërbyesve civilë prej 16 mijë e 364 shërbyes civil, 14 mijë e 925 janë shqiptarë, 909 janë serb, 239 janë boshnjak, 189 turq, 24 janë goran, ndërsa nga komunitetet rom, ashkalinjë dhe egjiptian, 37 janë rom, 27 ashkalinjë dhe vetëm 14 egjiptian të cilët janë të integruar në institucionet qendrore dhe lokale.

Myrtaj: Dispozitat ligjore nuk po zbatohen për të gjitha komunitetet njëjtë

“Përkundër faktit që shteti dhe shoqëria jonë kanë bërë përpjekje të mëdha institucionale për integrimin e komunitetit jo shumicë në institucionet e Republikës së Kosovës, dëshi roj të ju tërheq vëmendjen se ka sfida dhe mangësi të theksuara të cilat kanë bërë që disa komunitetet jo shumicë të mbeten prapa në integrimin e tyre në strukturat institucionale të vendit, në krahasim me disa komunitete të tjera...Këto dispozita ligjore tani për tani janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe atë vetëm për komunitetin serb, boshnjak dhe turq, kurse nuk janë zbatuar në raport me komunitetet e tjera të cilat po ashtu do të duhet të kishin trajtim të njëjtë në bazë të këtyre dispozitave ligjore”, tha Myrtaj.

Sipas tij, është vet Ministria për Kthim dhe Komunitete ajo që nuk e zbaton këtë nen të ligjit, pasi nuk e ka asnjë shërbyes civil nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, pavarësisht emrit dhe misionit që e ka. Në këtë dëgjim publik nuk morën pjesë asnjë deputetë shqiptar që janë anëtarë të Komisionit për Komunitete dhe Kthim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat