​Mustafa: Me pakon e re fiskale përfitojnë ata me të ardhura të vogla dhe mesatare

Kosova

​Mustafa: Me pakon e re fiskale përfitojnë ata me të ardhura të vogla dhe mesatare

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 09:48

Aplikimi i pakos së re fiskale do të sjellë përfitime për qytetarët me të ardhura të vogla dhe mesatare.

Kështu tha kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Mustafa shtoi se me këtë pako do të ruhet standardi i qytetarëve me të ardhura të vogla dhe të mesme.

Në mbledhjen e ekzekutivit kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për shërbimin e jashtëm të Kosovës.

Ekzekutivi ka miratuar edhe një serë propozim vendime tjera.

Miratohet Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm

Qeveri e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm tha se Kosova është duke zhvilluar një politikë të jashtme dinamike, me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të shtetësisë edhe nëpërmjet anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se për këtë qëllim është parë e arsyeshme që të punohet edhe në krijimin e një baze moderne ligjore, e cila rregullon në afat të gjatë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës dhe i shërben profesionalizimit të mëtutjeshëm të këtij shërbimi të rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të vendit tonë.

“Pra, ligji bën rregullim më të qartë dhe gjithëpërfshirës të pozitës së personelit të shërbimit të jashtëm dhe qartëson dallimin mes diplomatëve të karrierës dhe shërbyesve civil të cilët janë të punësuar në MPJ. Me anë të tij forcohen kriteret për pranimin në shërbimin e jashtëm, ndërsa sistemi i gradave dhe i procesit të gradimit të diplomatëve të karrierës është bërë më i qartë dhe përmes tij do të përmirësohet edhe trajtimi i diplomatëve të karrierës dhe të anëtarëve të familjeve të tyre”, tha Thaçi.

Ai ka treguar se është krijuar edhe programi i bursave i Ministrisë së Punëve të Jashtme si instrument i rëndësishëm i promovimit të vendit tonë, si dhe është krijuar edhe pozita e Inspektorit Diplomatik, detyrë e të cilit është që të fuqizojë mbarëvajtjen dhe menaxhimin efikas të misioneve diplomatike dhe konsullore dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia brenda shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat