Shkolla “Prenk Jakova” në grevë, kërkojnë kushte më të mira

Kosova

Shkolla “Prenk Jakova” në grevë, kërkojnë kushte më të mira

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 16:07

Vite më parë, ata e kanë lëshuar objektin e vjetër të shkollës së tyre me premtimin se do të iu ndërtohet objekti i ri po në atë vend. Mirëpo,punimet të cilat patën filluar atëherë për ndërtimin e shkollës kanë stagnuar shumë moti dhe nuk janë duke u zhvilluar më me arsyetimin e komunës se nuk ka filluar të ndërtohet sipas planit të paraparë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Violeta Krasniqi, së bashku me mësimdhënësit dhe me përkrahjen e nxënësve dhe të prindërve ka vendosur që sivjet të mos filloi më të mbajë mësim aty, pasi që nuk mund të vazhdojnë më tutje me kushte të tilla.

Krasniqi: Kërkojmë kushte më të mira

“Me keqardhje duhet të them se data 1 shtator për çdo shkollë është ditë festive për fi llimin e vitit të ri shkollorë, për neve fatkeqësisht është sot një ditë në të cilën mësimdhënësit e kanë shfaq pakënaqësinë nëpër kushtet në të cilat realizojmë mësimdhënie. Prandaj sot kemi filluar një grevë disa orëshe për të vazhduar pastaj në vazhdimësi deri në plotësimin e kërkesave tona për kushte më të mira”, tha Krasniqi.

Krasniqi tregon pse kjo shkollë nuk është e përshtatshme për zhvillimin e mësimit, duke shtuar se kërkesë urgjente e tyre është që të transferohen nga ai objekt, deri në ndërtimin e shkollës së tyre.

Krasniqi: Kërkojmë urgjentisht të transferohemi nga ky objekt

“Që disa vite kërkojmë që të na ndërtohet shkolla, jo vetëm objekti, por të organizohet shkolla me infrastrukturë të nevojsh me për organizimin e mësimdhënies. Gjithashtu kërkesa jonë urgjente është të transferojmë nga ky objekt dhe të na gjendet një zgjidhje e përkohshme deri në ndërtimin e shkollës... Objekti është shumë i vjetër, nuk kemi klasë të mjaftueshme, pajisje nuk kemi të mjaftueshme dhe të mirëmbajtura, do të thotë përpos infrastrukturës e kemi edhe largësinë nga qyteti. Edhe ajo është një element që na pengon në mbarëvajtjen e mësimit sepse fëmijët e vegjël, duke e ditur se këtu vijnë fëmijë të moshave të ndryshme, nga mosha 7 vjeçare deri te shkollimi i mesëm, prandaj po e kanë vështirësinë të vijnë me instrumente të ndryshme deri në këtë shkollë”, u shpreh Kraniqi.

Ajo shto se nesër kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtoresha për arsim në këtë komunë Arbërie Nagavci, i kanë premtuar një takim, në të cilin shpreson që do të gjejnë një zgjidhje.

Në anën tjetër, Nagavci, e mohoi të ketë grevë duke thënë për KosovaPress se nesër do të zhvillojnë një takim për të shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një objekti të ri.

Nagavci: Nuk kanë filluar me grevë

“Jo nuk kanë filluar me grevë. Në shkollën “Prenk Jakova” i kanë kushtet jo të mira, jemi duke punuar në atë drejtim. Nesër kemi një takim me këshillin drejtues të shkollës “Prenk Jakova” që të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme... jemi duke shikuar për një objekt të ri dhe besoj që shumë shpejt do të shohim se çka konkretisht do të ndërmerret”, tha Nagavci.

Drejtoresha e shkollës, Krasniqi ka potencuar se greva do të ndalet vetëm nëse arrihet një marrëveshje në këtë takimin e nesërm, në të kundërtën ajo do të vazhdoi edhe më tutje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat