Rigjykimi i Mujës, kapitullim i drejtësisë

Kosova

Rigjykimi i Mujës, kapitullim i drejtësisë

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 13:37

Vendimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit të Ramadan Mujës në rigjykim nuk mund ta quajmë ndryshe pos instrumentalizim të drejtësisë në shërbim të agjendës politike të pushtetit. Përpos që ka dëmtuar interesin publik duke i dhënë mundësi të re shkelësve të ligjit, Gjykata e Apelit me këtë rast ka shkelur parimet themelore të drejtësisë, atë të racionalitetit të procedurës duke e zgjatur tej mase kohën e marrjes së vendimit dhe parimin e pavarësisë së gjykatave duke lejuar ndërhyrje nga jashtë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se ky rast është tregues më i qartë për kapjen e shtetit në të gjitha segmentet e saj. Ndonëse pushtet i ndarë dhe me garanci kushtetuese për funksionim të pavarur, pushteti gjyqësor tashmë është kthyer në mburojë që ia siguron vazhdimësinë e pushtetit kriminal PDK-së.

Mosmarrja pjesë e prokurorit të rastit dhe papërgjegjësia e trupit gjykues në shqyrtimin e fundit, ishin tregues të qartë për përmbajtjen e vendimit. Në të vërtetë, gjatë gjithë rrjedhës së procedurës, objekt gjykimi në këtë instancë nuk ishte aspak aktgjykimi i shkallës së parë, por dilema se a duhet të shkojë Komuna e Prizrenit në zgjedhje të parakohshme apo jo.

Ne konsiderojmë se krimi, kriminaliteti dhe korrupsioni në sferën publike në Kosovë nuk janë raste të izoluara, por pasojë sistemike e një mentaliteti qeverisës kriminal. Siç dëshmon edhe ky rast, kjo gangrenë tashmë ka prekur të gjitha instancat e shtetit dhe dalja e vetme nga kjo situatë mbetet vetëm angazhimi i drejtpërdrejtë qytetarë për ndryshime demokratike në vend./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat