Qytetarët: Komuna harron që Prishtina e ka parkun e qytetit

Kosova

Qytetarët: Komuna harron që Prishtina e ka parkun e qytetit

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 14:22

Qytetarët e Prishtinës mendojnë që parku i qytetit është park i harruar, i lënë pas dore dhe që komuna nuk mendon fare për të. Tualetet, ulëset, mbulojat e tavolinave dhe tavolinat janë elementet kryesore që i duhen një parku, mirëpo këto ishin mungesat kryesore në parkun e kryeqytetit. Qytetarët disa herë me vetëfinancim ishin munduar t’i rregullonin disa gjëra brenda këtij parku, ata madje kishin bërë kërkesa vazhdimisht në komunë, por kërkesat e tyre siç thonë ata kanë hasur në vesh të shurdhër.

Një kërkesë të tillë e kishin dorëzuar në kuvendin komunal 38 persona që e vizitojnë vazhdimisht parkun, ku kërkesa e tyre kryesore ishte të kishin tavolina të reja dhe mbulesa për to, ku do të mundnin të kalonin kohën me komoditet më të madh në parkun i cili ndodhet në zemrën e kryeqytetit.

Qytetari Halit Hasolli tha për KosovaPress se vjen shumë shpesh në park, por nevojat janë të shumta. Ai ankohej për mungesën e tualeteve dhe gjendjen e mjerueshme të tualetit të vetëm që gjendet në park.

Hasolli: Komuna s’ka interesim, mungojnë tualetet

“Parkun e qytetit po thuajse së paku dy herë në ditë e vizitoj, mirëpo për shumë elemente nuk ka kujdes të mjaftueshëm, tualet është vetëm një, këtu nuk kishin mjaftuar së paku edhe 3 tualete tjera me i pasur, kushtet për ulje me pushuar njerëzit, duhet akoma me pasur vend e për t’u ulur, imagjino çfarë pastërtie është këtu, unë i shoh të rinjtë që ulen lartë dhe këmbët i qesin në ulëse. Këtu komuna ka përgjegjësinë më të madhe, kisha me thënë se është një moskujdes sidomos për fëmijët , ju mungon tualeti i fëmijëve, pse fëmija me hy në tualet të rriturve, edhe pse ka mungesa të mirëmbajtjes tualeti i të rriturve, por në rrethana qysh jemi mendoj që komuna nuk ka interesim të mjaftueshëm” , tha Hasolli.

Pensionisti Ramadan Rrahmani thotë se i ka mbledhur 38 nënshkrime të vizitorëve të parkut dhe ka bërë një kërkesë në komunë për ulëse dhe mbuloja të tavolinave, por komuna nuk i ka përfill fare kërkesat e qytetarëve.

Ai kohën e tij e kalon në këtë park duke luajtur shah me shokët, mirëpo kushtet ku ata qëndrojnë nuk janë të mira sepse shpesh herë nuk kanë ku të ulen.

Rrahmani: Komuna nuk e ka përfillur kërkesën tonë

“Shoqëria më pat dhënë detyrë që të bëjë një kërkesë në lidhje me mbulesat e këtyre tavolinave për t’i bërë tavolinat e reja, mirëpo është qëllimi që askush nuk është kujdes lidhur më këtë drejtim. Ne e kemi bërë kërkesën disa herë por jo, kërkesa është e shtruar por për fat të keq komuna nuk e ka përfillë. Ka mungesa mjaftë tualet është vetëm një, ulëset mungojnë shumë, mbet në këmbë. Ndryshim mund të bëhet, mirëpo duhet si pikë e parë të rregullohet një ambient ku i moshuari të ketë një dëfrim dhe mysafiri të ketë ku të ulet dhe kjo për fat të keq nuk është bërë. E vizitojmë shumë shpesh. Gërmin sa do ku do e kanë rregulluar, mirëpo parkun e kanë lënë anash që është në qendër të Prishtinës, dhe kjo është mëkat për komunën e Prishtinës, sepse këtu duhet një financim i vogël. Mirëpo këta të komunës i kanë fajet seps e nuk iu përvishen punës” tha Rrahmani.

Valbona Zejnullahu, studente tha se ajo vjen nganjëherë në këtë park, por edhe për të rinjtë ka mungesa të shumta. Sipas saj, mungojnë fushat e ndryshme sportive, ku te rinjtë do të mund të dëfreheshin.

Zejnullahu: Duhet të ketë fusha sportive për të rinjtë

“Besoj që duhet të ketë ende pushimore dhe fusha sportive, për tenis, basket e futboll, këto mendoj janë ato që i mungojnë” , tha Zejnullahu.

Qytetarët rrëfenin mënyrën se si ka vepruar komuna me kërkesat e tyre, ata tregonin që kërkesën e tyre e kanë dërguar në komunën e re dhe nga atje i ka telefonuar një zyrtare, duke i pyetur për kërkesën, mirëpo ajo nuk u kishte lënë hapësirë të pyesnin se a do të marrin iniciativë lidhur më kërkesat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat