Këmbëngul Isa Mustafa: Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Kosova

Këmbëngul Isa Mustafa: Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 21:16

Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Asociaocioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive, derisa marrëveshjet i ka quajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Sot kemi arritur marrëveshje të rëndësishme. Është marrëveshja lidhur me parimet themelore për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshja lidhur me implementimin e marrëveshjes për energji, marrëveshja për kodin telefonik dhe marrëveshja për lirimin e urës mbi Ibër, përkatësisht me rikonstrumin e saj dhe lëshimin e kësaj ure”, ka thënë Mustafa, para gazetarëve në Bruksel.

“Ne e konsiderojmë një sukses shumë të madh të arritur me këto marrëveshje, sukses në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Konsiderojmë se të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Me ASK do të mundësohet të ju ndihmohet komunave me shumicë serbe, por Asociacioni nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive, kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm, por edhe përfitimi i komunave me shumicë serbe do të jetë i mriz nga Asociacioni në pikpamje të zhvillimit dhe prosperitetit të tyre”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat