Gashi: Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, është gjyq politik

Kosova

Gashi: Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, është gjyq politik

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 17:45

Raporti i senatorit Dick Marty të cilin e ka miratuar Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin kërkohet hetimi i disa udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë politik, sikurse që është edhe Gjykata Speciale gjyq politik sepse formimin e kësaj gjykate e kërkojnë politikanët. Kështu ka thënë avokati Tomë Gashi për Anadolu Agency.
Ai thekson se miratimi i amendamenteve për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale nuk do t’i sjellin asnjë të mirë Kosovës.

Gashi thekson se vendimi është marr në tentimin e dytë dhe atë me një presion të madh ndërkombëtar. Fakt i cili e befason avokatin Gashi është se, më të “zëshmit” për formimin e kësaj gjykate janë pikërisht udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, kur dihet se pikërisht nga radhët e kësaj partie mund të ketë më së shumti të akuzuar në këtë gjykatë.

“Kjo Gjykatë do të veprojë sipas dispozitave ligjore të Kosovës, por është e qartë me Projektligj të kësaj gjykate se aty nuk do të ketë asgjë kosovare. Selia do të jetë jashtë Kosovës, në Hagë, kjo gjykatë ka të drejtë të delegojë disa pjesë të procedurave edhe në shtetet tjera, një pjesë të gjykimit. Do të jenë ligje të veçanta për këtë gjykatë dhe prokurori, të cilat do t’i formojë vetë gjykata dhe do të jetë gjyq i cili do ta trajtojë vetëm një komb, vetëm shqiptarët”, tha Gashi.

Sipas tij, një gjykatë e tillë mund të quhet edhe raciste, sepse merret me vetëm një palë e cila ka luftuar dhe jo me të gjitha palët.

Avokati, i cili ka mbrojtur disa nga ish-komandantët e UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore në tribunalin e Hagës dhe në Kosovë, rikujton se shqiptarët janë gjykuar për krime lufte edhe në Hagë. Ai vlerëson se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë sepse, përkundër se ka pasur të gjitha kompetencat, prej 16 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, nuk ka arritur që të nisë gjykimet në bazë të akuzave të cilat ceken në raportin e Dick Martyt.

“Sikur të ishte formuar Gjykata Speciale ose si do që do të ishte quajtur ai gjyq për gjykimin e të gjitha krimeve të luftës apo çfarëdo krimi që ka ndodhur në Kosovë dhe është i lidhur me periudhë kohore, jam i bindur se 99,9 për qind e shqiptarëve të Kosovës nuk do të ishin kundër kësaj Gjykate. Por, të formosh një gjykatë e cila gjykon vetëm një palë e cila ka luftuar dhe e cila në këtë rast ka qenë viktimë dhe që pala tjetër në një mënyrë të amnistohet, pasi që asnjë serb nuk do të gjykohet në këtë gjykatë, është një gjyq shumë diskriminues”, thekson Gashi.

Ai shtoi se, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte ka hetuar gjoja se tregtinë me organe njerëzore dhe nuk ka gjetur asgjë. Pastaj, prokurori special amerikan Wiliamson kishte deklaruar se nuk është gjetur asnjë dëshmi konkrete për tregti të organeve njerëzore por, kishte lënë të hapur mundësinë që ndoshta në të ardhmen të gjenden dëshmi.

Kjo, sipas Gashit, është bërë me qëllim që askush të mos mund të kundërshtojë formimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Gashit, formimi i Gjykatës Speciale jashtë Kosovës nuk mund të arsyetohet me faktin se, dëshmitarët po frikësohen në Kosovë sepse për një gjë të tillë asnjëherë nuk ka pasur dëshmi.

“Kosova nuk mund të jetë e pasigurt për dëshmitarët”, shton ai, “ndërkohë që prej 16 vitesh ndërkombëtarët janë këtu”.

Avokati Tomë Gashi më tej shpjegon se, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për formimin e Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës, pason zbatimi i këtyre ndryshimeve dhe sipas të gjitha gjasave edhe funksionalizimi i Gjykatës në fillim të vitit 2016.

Nuk dihet as numri i personave që do të mund të ishin të akuzuar para kësaj Gjykate.

“Duhet të zgjidhen gjykatësit, prokurorët, pastaj akuzat do të publikohen vetëm atëherë kur dikush të arrestohet sepse nuk është normale që ato të bëhen publike ndërsa janë të drejtuara kundër zyrtarëve të lartë që janë në liri. Askush nuk do të gjykohet në liri, do të arrestohen dhe do të transferohen në Holandë, më saktësisht në Hagë”, thotë Gashi.

Gashi konstaton se dëmi më i madh për Kosovën është fakti se, me formimin e kësaj Gjykate Speciale jashtë territorit të Kosovës do të cenohet sovraniteti i shtetit dhe nuk do t’i sjellë asgjë të mirë imazhit të shtetit më të ri në Evropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat