A është pasqyrë e dështimeve të brendshme, mungesa e njohjeve për Kosovën?!

Kosova

A është pasqyrë e dështimeve të brendshme, mungesa e njohjeve për Kosovën?!

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 20:54

Ka kaluar gjysmë viti nga themelimi i Qeverisë së re, e Kosova ka arritur që të sigurojë vetëm tri njohje. Derisa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Puhie Demaku, thekson se mungesa e njohjeve dhe rezultatet e dobëta të këtij ekzekutivi në rrafshin diplomatik nuk janë asgjë tjetër veçse reflektim i politikës së brendshme, zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrir Selimi, thotë se Ministria e tij fokusin e ka tek anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
Selimi ka thënë për Telegrafin se Kosovën, që nga fillimi i vitit e kanë njohur tri shtete: Ishulli Cook, Antigua and Barbuda, Ishulli Niue.

“Presim që muajt e ardhshëm të ketë ende shpallje të njohjeve, pasi që disa shtete tashmë kanë marrë vendime”, ka theksuar Selimi.

Deputetja Demaku, e cila njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë për Telegrafin se fakti se as tash e shtatë vite e gjysmë pas shpalljes se pavarësisë, askush - sipas saj - nuk e di numrin e saktë të njohjeve, “tregon se me çfarë politike të mbrapshtë është udhëhequr ky proces”.

Demaku ka thënë se mungesa e ambicies, e vizionit dhe profesionalizmit rezulton me mungesë të arritjeve, duke shtuar se kjo nuk është vetëm çështje e diplomacisë, por është çështje e udhëheqjes së tërë shtetit.

“Kur dështon nga brenda, dështon edhe jashtë. Një qeveri është po aq e fortë sa hallka e saj me e dobët. Për fat të keq, Komisioni parlamentar ka vetëm rol mbikëqyrës dhe konsultativ dhe mundësia për të ndikuar në politikëbërjen e MPJ-së është e vogël ose inekzistente”, ka theksuar ajo.

Demaku shton se vështirësia tjetër e Komisionit për Punë të Jashtme është tek mungesa e vullnetit për bashkëpunim nga ana e Ministrisë dhe ministrit i cili, sipas saj, refuzon të raportojë para Komisionit.

“Komisioni parlamentar është shumë i kufizuar, edhe për shkak të buxhetit minimal që e ka ne dispozicion, e edhe për shkak se MPJ-ja e injoron këtë forum i cili do duhej te ishte aset apo mjet ndihmës e jo kërcenim për Ministrinë”, ka shtuar ajo.

Në faqen zyrtare të MPJ-së, situata është e paqartë, për shkak se numri i shteteve të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës është 96. Ndërsa, të dhënat me numrin e njohjeve të cilat i ka siguruar Kosova, janë vetëm deri në vitin 2012 dhe jo më tutje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat