Hilmi Jashari zgjidhet Avokat i Popullit

Kosova

Hilmi Jashari zgjidhet Avokat i Popullit

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 16:00

(I plotësuar) - Hilmi Jashari mori bekimin nga ana e deputetëve të Kosovës për të qenë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Ai, pas një gare të lehtë dhe që në raundin e parë, arriti që të fitojë shumicën e votave të deputetëve - nga 80 deputetë Jashari mori 63 vota, duke lënë pas vetës dy kandidatët tjerë, Shqipe Ibraj Malan e cila mori 5 vota dhe Isa Hasanin që mori 9 vota.

Pasi u zgjedh nga deputetët Jashari u përgëzua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Jashari dha tekstin e betimin para deputetëve, duke premtuar që do të punojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke qenë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

Jashari: Do t’i mbroj dhe avancoj të drejtat e njeriut

“Unë betohem dhe pranoj solemnisht se do t’i kryej me besnikëri në mënyrë të pavarur dhe të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar me Kushtetutë dhe me ligj, se do t’i mbroj dhe avancoj të drejtat dhe liritë e njeriut në Republikën e Kosovës”, tha Jashari.

Ndërkaq, pa votat e opozitës ka kaluar propozim-vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës. Dy nga emrat e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, Abdullah Aliu dhe Mirlinda Batalli, janë kontestuar nga përfaqësuesit e partive opozitare, pasi sipas tyre ata nuk e kanë plotësuar kriterin e përvojës së punës, prej 12 viteve në sistemin e drejtësisë.

“Mund të kenë përvojë si ligjërues, por jo në sistemin e drejtësisë”, tha deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu.

Ajo tha se avokatia, prokuroria dhe gjyqësia, sipas Kushtetutës janë të fushës së drejtësisë por jo edhe ligjërimi. Ajo tha se nuk i përkrahin kandidatët që sipas tyre nuk kanë përvojë në sistemin e drejtësisë.

Haxhiun e përkrahën edhe dy subjektet tjera opozitare, AAK dhe Nisma. Deputetet e këtyre subjekteve Time Kadrijaj e Shukrie Bytyqi thanë se një listë e tillë nuk do të votohej prej tyre, pa u hequr dy kandidatë që nuk plotësojnë kriterin e përvojës.

Deputetja e PDK-së Selvije Halimi tha se edhe ligjëruesit në Fakultetin Juridik kanë përvojë në sistemin e drejtësisë, dhe se g rupi parlamentarë i PDK-së i përkrah të gjithë emrat e propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Përkrahje listës së Ministrisë së Drejtësisë i dha edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ndërkohë që Elemdin Dërguti nuk ka marr 50 votat e duhura për tu emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Në vazhdimin e seancës deputetët miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare, diskutimet për të cilat kishin përfunduar në seancën e kaluar. Në parim është miratuar edhe Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit, i cili është vlerësuar si shumë i rëndësishëm për fushën e shërbimeve të ujit.

Deputetët po ashtu shqyrtuan edhe raportin për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014. Ai derisa u përkrah nga pozita, opozita pati kritika rreth tij, duke thënë që nuk paraqet gjendjen e vërtet në këtë fushë. Ky raport nuk kaloi as pas herës së dytë, pasi që mori 49 vota për, 2 abstenime dhe një kundër. Ndërsa kuvendi formoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Deputetët po ashtu vendosën të pranojnë kërkesën e Komisionit për Zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri për shtyrjen e afatit për shqyrtimin e Projektligjit për Digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore për 1 muaj./A.Sahiti/

***

Hilmi Jashari është zgjedhur Avokat i Popullit të Kosovës me 63 vota nga 80 deputetët e pranishëm.
Jashari ka qenë më herët ushtrues detyre i Avokatit të Popullit.

Kuvendi po voton për Avokat të Popullit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e pasdites janë duke votuar për Avokatin e Popullit.

Në garë janë tre kandidatë ndërkaq njëri nga ta duhet të marrë shumicën e votive të deputetëve që gjenden në seancë.

Duhet theksuar se komplet deputetët e AAK-së nuk janë të pranishëm në seancë për shkak se po mbahet Kuvendi zgjedhor i kësaj partie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat