Shërbimet inteligjente të "Lobit ortodoks" tentojnë të na shkëpusin nga aleanca perëndimore

Kosova

Shërbimet inteligjente të "Lobit ortodoks" tentojnë të na shkëpusin nga aleanca perëndimore

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 18 maj 2015 Në ora: 12:59

“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve “terroriste” në Kumanovë, do të vazhdojnë me politikën e tyre të mbështetjes së pakushtëzuar për shqiptarët dhe nëse BE do të vazhdojë të heshtë mbi rigjallërimin e projektit të “Shqipërisë së Madhe, kjo situatë do të çojë në formimin e Aleancës Ortodokse të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ndoshta edhe në Luftën e Tretë Ballkanike”, shkruajnë mediat serbe.

Rreth kësaj çështje, njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi, thotë për gazetën “Bota sot” se, lobi ortodoks anti shqiptarë nuk është diçka e re.

“Intensiteti i veprimit të tij varet nga situatat e përgjithshme globale. Sa herë që gjeopolitika botërore ndryshon polet, ky lob tenton të grabit mes tjerash edhe diçka shqiptare. Në çdo variant, në kushtet e tanishme lufta është humbje për shqiptarët. Kjo është për shumë arsye, por nder me kryesoret janë se ne nuk kemi kapacitete intelektuale, teknike dhe ekonomike për zhvillimin e një lufte të nivelit Ballkanik. E dyta nuk kemi artikulime të qarta politike të nivelit strategjik për synimet tona”, thekson Kajtazi.

Ai thotë se, Shqipëri e Madhe apo etnike është artikulim folkloristik i cili përkon me definicionin për luftën si akt trimërie e jo si akt inteligjent që e ka e tërë bota e qytetëruar apo si "vazhdim i politikes me mjete tjera".

“Në kushtet e regjimit rus, aleatet tanë do ta mbajnë nën kontroll kërcënimin nga ky lob, por nëse ne luajmë ne ritmin e melodisë së tyre vështirë se ky kërcenim do të mbahet nën kontroll kur kemi parasysh kërcënime me serioze siç janë Polonia, vendet Skandinave, interesat në Azi e Paqësor të cilat atakojnë drejtpërdrejtë interesat para së gjithash amerikane”, vlerëson ai.

Kajtazi më tej thotë se, në këtë lojë s’ka dyshim se ne jemi humbësit dhe kur kihet parasysh se në rast të shpërthimit të një konflikti ne e kemi mundësinë e mobilizimit vullnetarë të kapaciteteve njerëzore dhe materiale kurse armiqtë tanë ndonëse të kufizuar, kanë mundësi të mobilizimit të kapaciteteve të nevojshme për të na mundur ne në rrugë institucionale.

“Ajo që më së shumti do të na dëmtonte ne në rast të një konflikti të përmasave Ballkanike, është fakti se ky konflikt do të iniciohet dhe kontrollohet nga mafia e shteteve të rajonit e cila ka interes për një rajon me kriza ku do të mbizotëron biznesi i trafikimit me armë, lëndë narkotike dhe me njerëz. Ne jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhe në të kaluarën ku përfituesit nga biznesi me luftën në rajon janë kapo. Dhe përfundimisht shërbimet inteligjente të "Lobit ortodoks" kësaj loje të madhe do ti vendosin edhe flamurin e ekstremizmit fetar gjë që do të tentohet të na shkëpus përfundimisht nga aleanca perëndimore”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat