Ministria pa zgjidhje për kontratat aktive me “Friends Medical”

Kosova

Ministria pa zgjidhje për kontratat aktive me “Friends Medical”

Më: 25 prill 2015 Në ora: 22:22

Ministria e Shëndetësisë nuk di çfarë të bëjë me tri kontratat në fuqi me kompaninë “Friends Medical”, edhe pse kësaj kompanie i është pezulluar licenca dhe nuk ka të drejtë pjesëmarrjeje për një vit në aktivitetet e prokurimit publik.

Hulumtimi për këto kontrata u shfaq në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të së premtes.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se nuk ka ide se si do të shkojë puna e këtyre kontratave.

“Nuk kam ide, ndoshta ekspertët e prokurimit do të japin një rrugë, tjetër zgjidhje, por unë mendoj dhe është përgjigjja më logjike që me pezullimin e licencës rrjedhimisht edhe këto tri kontrata janë të pezulluara. Këto tri kontrata janë të ngrira ose të pezulluara me marrjen e licencës”, tha ministri Rrahmani.

Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale më 12 janar të këtij viti ia pezulloi licencën kompanisë “Friends Medical”, ndërsa për këtë kompani mori vendim edhe Inspektorati Farmaceutik.

Në dhjetor të vitit që shkoi “Drejtësia në Kosovë” bëri një emision lidhur me një tender për furnizim me material shpenzues dhe pajisje medicinale nga lista esenciale që Ministria e Shëndetësisë nënshkroi me kompaninë “Friends Medical”, pasi dikush u ankua për të në platformën antikorrupsion KALLXO.com.

Tenderi qe nënshkruar nga ish-ministri Agani, ndërsa “Drejtësia në Kosovë” zbuloi shumë parregullsi në dosjen e tij.

Pas pezullimit të licencës së “Friends Medical”, Ministria e Shëndetësisë që kishte nënshkruar katër kontrata me këtë operator ekonomik, kërkoi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OshP) që të vendosë për këto kontrata.

OshP-ja pezulloi vetëm njërën nga katër kontratat dhe e përjashtoi operatorin ekonomik “Friends Medical” nga të gjitha aktivitetet e prokurimit publik në një afat prej 12 muajsh.

Zyrtarë të OshP-së thanë se nuk është punë e tyre vendosja për këto kontrata.

“Në bazë Ligjit të Prokurimit, përgjegjësi ekskluzive për të vendosur për fatin e këtyre tri kontratave ka vetë autoriteti kontraktues në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, sepse kjo ministri ka marrëdhënie kontraktuale me operatorin ekonomik Friends”, deklaroi Ekrem Salihu nga OshP-ja.

Të njëjtën e tha edhe Abdyl Limani nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

“Pas vendimit të OShP-së për futjen në listë të zezë për operatorin ekonomik në fjalë, ai bëhet i papërgjegjshëm në ekzekutimin e kontratave. Në këtë situatë, autoriteti kontraktues duhet që t`i pezullojë kontratat përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës”, shpjegon Limani.

Në emision, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale Arianit Jakupi, tha se kompania së cilës i është perzuluar licenca, nuk ka të drejtë ta furnizojë Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ky subjekt juridik, nuk ka të drejtë të bëjë qarkullimin më të shumicë, ose pakicë të pajisjeve medicinale derisa vendimi për pezullimin e licencës është në fuqi”, tha Jakupi.

Zyrtarë të Kompanisë “Friends Medical” nuk kanë pranuar të flasin rreth asaj se si mund të përmbushin kontratat me Ministrinë e Shëndetësisë kur e kanë të pezulluar licencën dhe janë përjashtuar nga aktivitetet e prokurimit për një vit.

Ata me anë të postës elektronike thanë se “nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me Emisionin 'Drejtësia në Kosovë'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat