Mustafa: Kosova u çlirua nga Rugova. SHIK-u më shumë i shërbej regjimit serb

Kosova

Mustafa: Kosova u çlirua nga Rugova. SHIK-u më shumë i shërbej regjimit serb

Më: 25 prill 2015 Në ora: 09:45

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se Kosova u çlirua pasi pati një burrështetas të urtë e të mençur, Presidentin Ibrahim Rugova.

Kryeministri dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklarimeve të bëra nga ish shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, duke shprehur keqardhje që “një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës”.

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se kurrë Kosova nuk do të çlirohet për të varej nga shërbimet informative siç ishte SHIK-u shqiptar. Kryeministri thekson se shërbimet e tilla i kanë shërbyer më shumë regjimeve dhe Serbisë, sesa pavarësisë së Kosovës.

“Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar.

Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Reagimi i Mustafës vjen pas deklaratës së ish-shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi, se Kosova kurrë s’do të çlirohej – po të varej nga Ibrahim Rugova dhe se politika e Ibrahim Rugovës ishte pa krye, kurse Kosova u çlirua falë kontributit të djemve të UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar, transmeton "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat