​Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë vazhdojnë edhe nesër bojkotimin e punës

Kosova

​Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë vazhdojnë edhe nesër bojkotimin e punës

Më: 19 prill 2015 Në ora: 23:27

Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë edhe nesër do ta bojkotojnë punën në shenjë pakënaqësie për aksidentet që kanë ndodhur kohëve të fundit, ku patën probleme në ashensor, dikujt iu zu fryma nga mungesa e ventilimit e edhe u rrëzuan raftet e dokumenteve.

Këtë e ka konfirmuar përmes telefonit për KosovaPress, kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës së Apelit, Hajzer Behrami, i cili tha se gjendja shëndetësore e këtyre punëtorëve nuk është e mirë, pasi që të gjithë kanë probleme me unaza.

Ai po ashtu tha se nuk e din deri kur do ta vazhdojnë këtë bojkotim, për shkak të palëve të cilët vijnë çdo ditë tek ta.

Thotë se ata kanë probleme edhe me shumë gjëra të tjera, për të cilat kanë kërkuar zgjidhje tash e një kohë.

“Gjithsesi që do ta bojkotojmë edhe nesër punën për hir të kolegeve të cilëve i është këputur lifti. Ajrosje nuk ka, ujë nuk ka, transport nuk ka dhe të gjitha elementet tjera që duhet me qenë në atë objekt. Nuk e dimë deri kur do ta vazhdojmë bojkotimin, se është për keqardhje për hir të popullatës e të palëve të cilët vijnë, por, nuk kemi zgjedhje tjetër pa ndërmarr masa për këto arsye”, tha Behrami.

Behrami thotë se ata nuk po dinë kujt të ju drejtohen më, pasi që askush nuk po e merr përgjegjësin mbi vete, për të gjitha aksidentet që kanë ndodhur deri më tani në këtë pallat.

“Prej që kemi shkuar ne gjykata e apelit, me 2 shkurt, e para nuk jemi të kënaqur me elementet apo pjesët e jetës, se kur nuk kemi oksigjen në atë objekt çka të bëjmë më tej. Transport nuk kemi, ushqim nuk kemi dhe është keq dhe barrë e gjithë atij investimi e mos me qenë elementet përgjegjëse. Unë nuk e dijë se çka kanë menduar ata të cilët kanë vendosur të na dërgojnë atje neve. Po ashtu, ka qenë ministria e Administratës publike atje dhe kanë thënë se nuk përgjegjësi e tyre, ministri i drejtësisë thotë nuk është punë e jona, këshilli gjyqësor thotë jo nuk është punë e jona, nuk e di te kush të drejtohemi ne, ose kush me na drejtuar neve”, tha ai.

Ky Pallat ka filluar punën edhe pa u bë hapja e tij zyrtare, ndërsa aksidentet nuk janë ndaluar asnjëherë. Madje ka pasur aksident veturash në oborrin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat