503 diploma false në Pejë – Arsim Bajrami paralajmëron masa ndaj falsifikatorëve

Kosova

503 diploma false në Pejë – Arsim Bajrami paralajmëron masa ndaj falsifikatorëve

Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:32

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka thënë se do të kërkojnë inspektim të çështjes, për sa i përket skandalit me diploma false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.
Këto diploma false janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Pejës, ku sipas rektoratit të Pejës, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë të këtyre institucioneve.

Në lidhje me këtë çështje, ministri Arsim Bajrami tha se ministria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për vendosjen e ligjit.

“Ajo çështje do të studiohet nga ministria, ne do të kërkojmë inspektim të çështjes dhe do të marrim të gjitha masat që aty të vendoset ligji, rendi dhe rregulli. Kështu që nuk do të ketë asnjë kompromis”, tha Bajrami.

I pyetur nëse do të ketë përjashtime për persona të cilët janë profesorë të universiteteve, apo edhe zyrtarë të lartë të institucioneve tjera, Bajrami tha se nuk do të ketë dallime, pa marrë parasysh pozita publike në të cilën gjinden ata.

Ditë më parë është raportuar se zyrtarë të lartë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), profesorë universitarë, menaxherë të lartë të kompanive publike e private, kanë marrë diploma të këtij Fakulteti, ndonëse nuk ka qenë të regjistruar si studentë e as që kanë ndjekur ligjëratat ndonjëherë, përcjell kosovapress.

Pavarësisht se zyrtarë të lartë ligjorë të Universitetit të Pejës e konfirmojnë se vite më parë janë lëshuar qindra diploma të falsifikuara, disa nga të apostrofuarit në listën e Prokurorisë, e mohojnë të kenë qenë ndonjëherë në këtë fakultet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat