FSK-ja të shndërrohet në ushtri si faktor paqe, sigurie, stabiliteti dhe integriteti territorial

Kosova

FSK-ja të shndërrohet në ushtri si faktor paqe, sigurie, stabiliteti dhe integriteti territorial

Më: 4 mars 2015 Në ora: 15:37

Forcat e Sigurisë së Kosovës, shumë shpejtë duhet të transformohen në ushtri respektivisht në Forcat e Armatosura të Kosovës, si faktor paqe, sigurie, stabiliteti dhe integriteti territorial e kushtetues i Republikës së Kosovës.

Zhagitja është bërë dhe bëhet falë mentalitetit ballkanik dhe plogështisë së autoriteteve kosovare të cilave si duket për asgjë nuk iu bëhet vonë, vlerëson Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës.

“Kriza në Ukrainë, terrori i Shtetit Islamik të ISIS, apetitet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës duhet ta vënë në pikën një të agjendës së institucioneve të Kosovës transformimin e FSK kur për këtë është në pajtim edhe vetë Aleanca Veriatlantike e NATO-s”, thotë Dedaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, njerëzit në FSK si duket më shumë janë të interesuar se kush do të përfshihet në listën e fryrë, megalomane dhe fiktive të invalidëve të luftës se ish UCK-së, për përfitime personale se sa të merren me këtë çështje historike të interesit nacional siç është formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Shpresojmë shumë se aleatet tanë historik SHBA dhe Bashkimi Evropian përmes NATO-s do të ushtrojnë trysni dhe mbështetje për realizimin e këtij projekti të rëndësisë nacionale, por edhe garantues i sigurisë në Kosovë dhe tërë këtë pjesë të Evropës”, thotë Gjergj Dedaj.

Ndërsa, deputeti i Kosovës, Zafir Berisha, nga radhët e Nismës për Kosovës, thotë se, pengesat kushtetuese dhe ligjore që e pengojnë që në mënyrë të rregullt FSK-ja të shndërrohet në ushtri është se e kanë faktorizua elementin ekstremistit serb në tetë institucione dhe i kanë kriju hapësirë ligjore ashtu që ata vazhdimisht për çështje të rëndësishme me qenë faktor.

“Nga presioni ndërkombëtar edhe mund të pajtohet Lista serbe e Hashimit me votua, por dihet se ata pa e arrit ndonjë qëllim në dëm të Kosovës nuk e bëjnë dhe jo rastësisht e kemi shtetin jofunksional”, thotë Berisha për gazetën “Bota sot”.

Po ashtu, gjatë ditës kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj së bashku me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, kryetaren e Komisionit për Integrime, Teuta Sahatqija dhe Gjeneralin Kadri Kastrati kanë vizituar selinë e NATO-së në Bruksel dhe janë takuar me zyrtarë të lartë të këtij institucioni.

Në një postim në Facebook, ish ministri Hoxhaj ka thënë në NATO ekziston përkrahja për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura.

“Duhet theksuar se është një mbështetje e mirëfilltë për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura veçmas nga shtetet kryesore anëtare dhe vendimmarrësit e saj” ka shkruar Hoxhaj.

Më tej, Hoxhaj i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos vonohet në marrjen e vendimit për ta themeluar FAK-un dhe bërë Kosovën me ushtri.

Vizita e Hoxhajt dhe një grupi vendimmarrësish nga Kosova në selinë e NATO-së po bëhet me organizimin e misionit të SHBA-së në këtë organizatë. Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat