Çollaku: Kosova është e gatshme të nënshkruaj MSA-në

Kosova

Çollaku: Kosova është e gatshme të nënshkruaj MSA-në

Më: 4 mars 2015 Në ora: 11:46

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Holandës në Kosovë, Robert Bosch, me të cilin ndër të tjera kanë biseduar për bashkëpunim bilateral, nënshkrimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Çollaku është shprehur mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Holandës në avancimin e agjendës evropiane për Kosovën. Ministri Çollaku përsëriti se prioritete kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian mbesin nënshkrimi i MSA-së dhe procesi i liberalizimit të vizave.

Lidhur me këto dy procese ministri Çollaku ritheksoi se “Kosova është e gatshme të nënshkruaj MSA-në, ndërsa gjithashtu është në fazën përfundimtare për të përmbushur obligimet e veta në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”.

Në anën tjetër, ambasadori Bosch përsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Holandës në mbështetje të proceseve integruese për Kosovën.

Të dy bashkëbiseduesit në takim u zotuan se ndërmjet dy shteteve do të ketë një bashkëpunim edhe më intensiv përgjatë gjithë procesit të integrimit evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat