Nikoliq dhe Vuçiç ishin në dijeni për eksplozivin

Kosova

Nikoliq dhe Vuçiç ishin në dijeni për eksplozivin

Nga: H.Orana Më: 28 dhjetor 2014 Në ora: 11:43

Eksperti i sigurisë Naim Maloku ka thënë në një prononcim për “Bota sot” se krerët e shtetit të Serbisë kanë qenë në dijeni për eksplozivin që do të hudhej në Prishtinë. Sipas tij, një aksion i tillë është e pamundur të niset pa dijeninë e zyrtarëve të lartë të një shteti, në këtë rast të Presidentit Tomislav Nikoliq dhe kryeministrit Aleksandër Vuqiq.

“Në këtë rast kur kemi të bëjmë me një aksion jashtë territorit të Shtetit të Serbisë. Edhe pse Serbia e ka Kosovën ne Kushtetutën e saj ajo e din që këtu janë segmentet ndërkombëtare të sigurisë dhe gjyqësisë KFOR dhe EULEKS. Një aksion i tillë duhet patjetër me e marrë edhe pëlqimin politik të nivelit më të larte të shtetit. Pra për këtë aksion kanë qenë në dijeni patjetër Presidenti Nikoliq dhe Kryeministri Vuqiq. Shkalla e sekretit dhe caku i aksionit jashtë territorit të Serbisë nuk lejojnë që të jenë në dijeni nivele më të ulëta politike. Pra ky aksion nuk ka munde as të niset pa aprovimin politik të këtyre dy niveleve politike”, ka thënë ai.

Sipas Malokut, janë disa faktor, që kur shkruhet për këtë rast, duhet të merren parasysh.

“Eksplozivi C4 është eksploziv plastik me fuqi tejet të madhe shkatërruese. Që nga prodhimi e deri të përdorimi dhe asgjësimi i tij i nënshtrohet kontrollit strikt duke e përcjellë në çdo moment sasinë, numrin serik të prodhimit dhe vendndodhjen e tij. Pra nuk ka shanse që sasi sado e vogël e tij të përfundon në treg apo te njerëz të paautorizuar me autorizime të veçanta. Ky lloj eksplozivi ruhet strikt në depo të specializuara ushtarake dhe tërheqja e çfarëdo sasie të tij bëhet me të ashtuquajturin " çelës i dyfishtë" urdhëri i strukturës komanduese të ushtrisë i cili kalon duke u verifikuar së paku në 4 nivele dhe urdhëri apo leja përcjellëse nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë. Të dy këto urdhëresa lëshohen në bazë të kërkesës për sasinë e nevojshme e cila në detalet më të vogla shtjellon arsyen e tërheqjes së tij, detyrën që duhet realizuar, vendin se ku do të përdoret, kohën dhe mënyrën e transportit si dhe personelin përgjegjës për tërë këtë”, thekson ai.

Maloku thotë se 12 kg te eksplozivit C4 nuk kanë mundë në asnjë mënyrë që rastësisht të gjinden në duar të një " veterinari". Pra sipas tij, kemi të bëjmë me detyrë apo aksion specifik të ideuar nga nivelet më të larta të Shërbimeve Sekrete Serbe.

Ai thotë po ashtu se vendi Prishtina, festa e Krishtlindjes janë faktor tjerë që duhet të analizohen mirë për qëllimin e aksionit. Pra jo vetëm dëmi material dhe në njerëz që ishte shkaktuar si pasojë e atij akti por edhe pasojat tjera dhe efektet që kishte me i shkaktu.

“Unë nuk po hy më në detaje për situatën aktuale në Kosovë dhe pasojat katastrofale që kishte me i pas vendi dhe Kombi ynë po qe se një diversion i tillë kishte me pas sukses. Janë me rëndësi këto përfundime: Akti terrorist ka qenë i organizuar nga strukturat shtetërorë të Serbisë; Nivelet më të larta politike, Presidenti dhe Kryeministri, kanë qenë në dijeni dhe e kanë aprovuar; Shteti i Serbisë ka tentuar me kry një akt të tmerrshëm terrorist në territorin tonë dhe këtu fatmirësisht ka dështuar”, thekson eksperti Maloku.

Ai thotë se kur një aksion i tillë dështon atëherë tërë mekanizmat e shtetit nga i cili është organizuar vëhen në lëvizje me u tërheqë duke sjellë në media lloj-lloj variantesh si ky që doli në 'blic' dhe gjithmonë " sipas informatave që i kemi".

“Pra tani do të jemi dëshmitar të lloj lloj " skenarëve" të gjithë prapa të lansuar nga vet segmentet e propagandës së Shërbimeve Sekrete Serbe për të mjegulluar sa më shumë ngjarjen dhe tërheqjen e vëmendjes se opinionit dikund tjetër, me qëllim të largimit të dyshimit që ato vet janë prapa këtij aksioni. Detyra e mediave që janë pro Kosovës është që në vazhdimësi opinionin më e mbajtë të fokusuar në faktet e pamohueshme që Shteti i Serbisë është adresa e sekt e këtij tentimi për akt terrorist”, vlerëson eksperti i sigurisë, Naim Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat